Ndërlidhjet

Vazhdon “beteja” për Demarkacionin


Ilustrim
Ilustrim

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi mund të rikthehet nga qeveria e Kosovës në Kuvend për votim. Javën e kaluar, në emër të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tërhoqi këtë projektligj nga shqyrtimi dhe votimi parlamentar për arsye të ndryshme.

Ndër kryesoret ishin mungesa e deputetëve të Listës Serbe në Kuvend, çka i pamundësonte koalicionit të siguronte 80 votat e nevojshme për ratifikim, si dhe kundërshtimet e ashpra të opozitës dhe kujdesi i treguar i kryeministrit për ruajtjen e gjendjes së sigurisë në vend.

Ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, në Kosovë po shihet nga dy perspektiva. E para, ajo e koalicionit qeverisës, sipas së cilës, kjo është një marrëveshje të drejtë sa i përket shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe është e domosdoshme për fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Kurse nga perspektiva e opozitës, po shihet si marrëveshje jo e drejtë që i humb Kosovës një territor prej mbi 8 mijë hektarësh.

Ministri i Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se dështimi eventual i ratifikimit të kësaj marrëveshjeje do të hap shumë dilema, të cilat, sipas tij, nuk do të kenë përgjigje në Kosovë, por vetëm në Bruksel.

Ratifikimi i Demarkacionit, sipas ministrit Çollakut, mbetet kushti i fundit për heqjen e vizave dhe i cili nuk mund të anashkalohet nga ana e institucioneve të Kosovës.

“Në rastin tonë, përkundër përparimeve të mëdha që janë bërë, përkundër hapave ligjor që janë ndërmarrë nga ana e Komisionit Evropian dhe përkundër faktit që kjo çështje do të trajtohet edhe në Komisionin e Parlamentit Evropian për të Drejtat Civile, Drejtësi dhe Punë të Brendshme, qytetarët e Kosovës nuk do të mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa viza, përderisa ne nuk i përmbushim të gjitha obligimet e parapara”, ka thënë Çollaku.

Pas tërheqjes së Projektligjit për Demarkacionit, sipas procedurave ligjore, nënkuptohet se ky draft-ligj nuk ka qenë fare në shqyrtim në Kuvend, thotë analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi. Sipas tij, tani janë dy mundësi mbi bazën e të cilave qeveria mund ta ri-procedojë projektligjin e njëjtë për ratifikim në Kuvend.

“Nëse Projektligji i njëjtë procedohet në Kuvend, ai fillimisht duhet të marr miratimin e qeverisë. Pastaj janë dy mënyra; të kërkohet miratimi në Kuvend me procedura të përshpejtuara, që për mendimin tim do të ishte gabim, ose përmes procedurave të rregullta parlamentare”.

“Projektligjet me të cilat bëhet ratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare kalojnë vetëm me një lexim në Kuvend. Paraprakisht duhet që Kryesia e Kuvendit ta mandatojë Komisionin parlamentar për punë të jashtme që ta shqyrtojë atë dhe më pastaj, ky Komision t’i rekomandojë seancës plenare miratimin apo jo të tij”, ka theksuar Krasniqi.

Për procedurat parlamentare dhe një demokraci të mirëfilltë, do të ishte mirë që Kuvendi të votojë për apo kundër marrëveshjes, thotë Krasniqi.

Ndërkohë, sipas opozitës, ratifikimi i marrëveshjes aktuale për Demarkacionin është çështje e mbyllur dhe se për shënjimi i vijës kufitare me Malin e Zi duhet të ri-negociohet.

Dardan Sejdiu, nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se kjo marrëveshje, pas tërheqjes nga Kuvendi, tashmë duhet të konsiderohet e dështuar.

“Ajo që tashmë është e qartë, dy temat kryesore të kësaj qeverisje, “zajednica” (termi që Vetëvendosje përdorë për Asociacionin) dhe Demarkacioni i gabuar i kufirit të Kosovës me Malin e Zi, tashmë janë të vdekura”, është shprehur Sejdiu.

Në seancën e 1 shtatorit, kur kryeministri Isa Mustafa vendosi ta tërheqë këtë projektligj nga votimi në Kuvend, monitoruesit e punës së këtij institucioni besonin se koalicioni nuk i kishte 80 votat e nevojshme për ratifikim, ngase Lista Serbe, e cila është pjesë e koalicionit, nuk mori pjesë në seancë.

Tani mbetet të shihet se kur do ta ri-procedojë qeveria të njëjtin Projektligj në Kuvend dhe nëse paraprakisht do të ketë bisedime ndërmjet dy partive më të mëdha të koalicionit, Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike me Listën Serbe, për të siguruar votat e nevojshme për ratifikim. (REL)

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG