Ndërlidhjet

Qeveria nuk ka nisur dialogun me Listën Serbe për FAK-un


Forca e Sigurisë së Kosovës
Forca e Sigurisë së Kosovës

Institucionet e Kosovës nuk kanë bërë një hap përpara në drejtim të shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, një forcë e re mbrojtëse, që do ta dallonte nga ato që ka sot Kosova.

Për themelimin e FAK-ut është i nevojshëm edhe ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës. Andaj, kjo dikton nevojën e konsensusit politik me Listën Serbe, pasi që ky subjekt përfaqëson aktualisht shumicën e komunitetit serb në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës.

Anëtarë të partisë politike Lista Serbe, thonë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, deri tash nuk ka ftuar askënd nga partia që të flasë për këtë çështje.

Deputeti nga radhët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, Nenad Rashiq, thotë se deputetët serbë ende nuk kanë marrë një vendim lidhur me këtë çështje.

“Kryeministri disa herë ka theksuar që do të formohet FAK-u, por nga ana tjetër, sa u takon deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, askush me ne nuk ka biseduar. Se a do të ketë ndryshime në të ardhmen unë nuk e di, por tash për tash sa i takon FAK-u nuk kemi zhvilluar bisedime", thotë Rashiq.

Qeveria dhe Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë deklaruar në vazhdimësi se FSK-ja është e gatshme për marrjen e përgjegjësive të reja, të cilat mund të dalin nga ky transformim. Por, që të bëhet hapi tutje drejt këtij transformimi, do të nevojitet edhe një vendim politik.

Deputeti Daut Haradinaj, kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se arsyet pse kjo çështje nuk ka shkuar përpara qëndrojnë te pasiviteti i institucioneve të Kosovës, të cilat, sipas tij, e kanë injoruar procesin.

“Institucionet e Kosovës nuk e kanë trajtuar seriozisht si temë. Ndërsa, duket se kohëve të fundit e kanë marrë më seriozisht edhe për shkak të shumë rrethanave që po ndodhin në rajon edhe jashtë saj, pra shumë kërcënimeve, si nga ekstremizmi, apo edhe nga vetë terrorizmi. Tash po duket që edhe faktorët miq, siç është SHBA-ja, e kanë një interesim shumë më të theksuar që transformimi i FSK-së të ndodhë sa më shpejt”, thekson Haradinaj.

Zyrtarët nga Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përsëritur disa herë se FSK-ja tashmë ka realizuar gjithë programin e saj për arritjen e kapaciteteve të plota operacionale sipas misionit që ka pasur dhe se, sipas tyre, ato kapacitete janë pranuar edhe nga NATO.

Fadil Demaku, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, anëtar i Komisionit për Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha çështjet në lidhje me procedurat ligjore kanë përfunduar. Por, sipas tij, ngecjet janë për çështje politike.

“Unë mendoj se duhet një angazhim edhe më i madh i institucioneve tona, një trysni shumë më e madhe edhe ndaj komunitetit serb, përfaqësuesve politikë të tyre në Kosovë. Ata në fund të fundit janë deputetë me vota të Republikës së Kosovës. Këtu duhet të jetë trysnia shumë më e madhe e faktorit vendor dhe ndërkombëtar, i cili normalisht ka luajtur rol shumë të rëndësishëm në të gjitha proceset", konsideron Demaku.

Deputeti Demaku thotë se shndërrimi i FKS-së në Forca të Armatosura nuk mund të bëhet pa dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve.

"Çështje të tjera nuk ka veç nevojës për një konsensus, sepse duhen edhe votat e dy të tretave të pakicave. Mendoj se problemi është politik dhe nuk kemi njohuri për ndonjë problematikë tjetër”, shprehet Demaku.

Njohësit e çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, konsiderojnë se Kosova disa herë e ka humbur mundësinë për shndërrimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura.

Humbja e mundësisë, sipas ekspertëve, ka të bëjë me mungesën e aftësisë së lidershipit, por, siç thonë ata, edhe të refuzimit të kësaj çështjeje nga përfaqësuesit e serbëve në Kuvendin e Kosovës.

Naim Maloku, njohës i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se shndërrimi i FSK-së në FAK është mjaft i rëndësishëm për Kosovën. Ai thotë se Lista serbe është e dirigjuar nga Serbia edhe me çdo rast ata do të mundohen ta bllokojnë këtë proces.

Ata [ Lista Serbe ] kërkojnë që një batalion i asaj force në veri të jetë komplet i përbërë nga serbët dhe të ketë linjë tjetër komandimi dhe jo atë të Forcave të Armatosur të Kosovës. Kjo do të thoshte se praktikisht Kosova ndahet dhe më nuk ke shanse më bëhet bashkë”, vlerëson Maloku.

Ai shton se shndërrimi i FSK-së në FAK mund të bëhet vetëm me një presion ndërkombëtar.

“Me një marrëveshje, me një presion të fuqishëm ndërkombëtar, nëse Serbia hyn në NATO, integrohet edhe gjithë rajoni ... Mali i Zi hyri, të hyjë edhe Serbia, Maqedoni dhe Kosova dhe atëherë brenda infrastrukturës së NATO-s, t’i jepet një pozitë forcës së Kosovës, një rol në atë infrastrukturë ushtarake që do të krijohej”, shpjegon Maloku.

Plator Avdiu, hulumtues nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në prononcimin dhënë Radios Evropa e Lirë, thotëse si duket ende nuk po ekziston një angazhim konkret dhe serioz i institucioneve të Kosovës për shndërrimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

Ai thekson se kjo çështje më së shumti është shfrytëzuar për konsum të brendshëm politik.

"Mungon një lobim i fuqishëm nga ana e Qeverisë për të shtyrë përpara agjendën për kompletimin e arkitekturës së sigurisë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, përkatësisht shndërrimit të FSK-në në FAK. Siç po duket, Qeveria ende nuk e ka kuptuar peshën dhe rëndësinë e themelimit të FAK-ut, duke mos e vendosur si prioritet kryesor në këtë fazë të shtet-ndërtimit", thekson Avdiu.

Në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë thonë se Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës duhet sa më parë t’i kalojë amendamentet kushtetuese për votim në Kuvend lidhur me themelimin e FAK-ut.

"Për këtë duhet të ndodhë një debat i brendshëm në vend, duke përfshirë edhe partitë politike serbe në Kosovë. Nëse marrëveshjet e bisedimeve me Serbinë vendoset që të dërgohen për miratim në Kuvend, atëherë parakusht për këtë të jetë pëlqimi i subjekteve serbe në Kuvendin e Kosovës për ndryshimet kushtetuese për themelimin e FAK-ut", thotë Avdiu.

Këto forca, sipas ekspertëve të çështjeve ushtarake dhe sigurisë, do të formohen gradualisht dhe nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e plotë të NATO-s brenda 5 deri 10 vjetët e ardhshëm, ngjashëm siç ka ndodhur edhe me Forcat e Sigurisë së Kosovës.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese.

Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake.

Forcat e Armatosura mund të themelohen nën mbikëqyrjen e NATO-s, me numër të caktuar ushtarësh dhe me armatim dhe pajisje të përcaktuara në marrëveshje me NATO-n.

XS
SM
MD
LG