Në Kosovë është publikuar Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, me të cilin synohet rritja e punësimit, e investimeve të jashtme, si dhe hapja e mundësive prodhuese për eksport.
Udhëheqës të institucioneve të larta vendore dhe ndërkombëtare kanë thënë se ky fond është një e arritur e madhe për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.
Fondi, i cili ka rreth 18 milionë euro, llogaritet që në gjashtë vitet e para të rris mundësinë për kredi të reja në rreth 400 milionë euro, me të cilat besohet se mund të krijohen deri në 20 mijë vende të reja pune.
Fondi Kosovar për Garantimin e Kredive (FKGK) është një institucion vendor i pavarur dhe i qëndrueshëm, i cili, u tha se do t’u lëshojë garanci të pjesshme të kredive institucioneve financiare, duke rritur në këtë mënyrë qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesmenë Kosovë.
Programi i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në partneritet me Qeverinë e Kosovës dhe donatorët tjerë, ka nisur themelimin e këtij institucioni.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, krijimin e këtij fondi e ka quajtur kapitull të ri në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.
Qasja në financa e bizneseve ka qenë e vështirë dhe ky fond do të lehtësojë adresimin e këtyre problemeve, ka thënë ai.
“Ngjarja e sotme shpreh përkushtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë për zhvillimin e qëndrueshëm të bizneseve dhe numrit të punëtorëve. Rritja ekonomike nuk është e paevitueshme, por kërkon vendosmëri dhe punë të rëndë”,ka thënë Delawie.
Kurse, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se ky Fond është krijuar me ligj për të ndihmuar qasjen në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Sipas tij, ky fond do të jetë shtyllë e fortë e Fondit për Zhvillim dhe Punësim.
“Bankat, përmes këtij Fondi, do të kenë mbulueshmërinë e tyre rreth 50 për qind të kolaterialit. Fondi për Garantimin e Kredive është shtyllë e parë dhe më e rëndësishme për nxitjen e investimeve dhe punësimit. Kësaj shtylle ne do t’ia shtojmë edhe instrumentet për subvencionimin e normave të interesit për sektorët primarë, me theks të veçantë në bujqësi”, ka thënë Mustafa.
Për rëndësinë e këtij Fondi ka folur edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai ka thënë se në këtë mënyrë do të shtohet konkurrenca e industrisë brenda dhe jashtë Kosovës.
“Duke lëshuar 4,500 kredi të reja për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, në gjashtë vitet e operimit, ne do të kemi 10 mijë biznese të reja. Këto kredi do të rezultojnë më 360 milionë euro në financim të ri, e që do të krijohen 20 mijë vende të reja të punës”, ka theksuar Veseli.
Ndryshe, normat e larta të interesit për kredi, kërkesat e shumta për aplikim, duke përfshirë këtu edhe hipotekën, të aplikuara nga bankat komerciale në Kosovë, vazhdimisht janë vlerësuar pengesë për zhvillimin e veprimtarive të bizneseve në vend.