Ndërlidhjet

Kosova, me para të “ngrira”


Ilustrim
Ilustrim

Shuma e mjeteve të grumbulluara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, ka arritur në mbi 660 milionë euro, prej të cilave 104 milionë euro u janë transferuar punëtorëve të ndërmarrjeve publike dhe mbi 90 milionë euro i janë transferuar buxhetit të Kosovës.

Ndërkohë, pjesa tjetër e këtij fondi mbahet në mirëbesim në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës.

Këto janë të dhëna të Agjencisë Kosovare të Privatizimit që i kanë prezantuar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të këtij mekanizmi.

Mosinvestimi i këtyre mjeteve që mbahen tani e sa vite në BQK, po kritikohet vazhdimisht nga njohësit e çështjeve ekonomike.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Ismajl Kastrati, thotë se ngrirja e Fondit të Privatizimit është jashtë çdo norme ekonomike.

Mbajtja e bllokuar e këtyre fondeve, shton Kastrati, pamundëson një zhvillim më të hovshëm ekonomik, si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

“Ekonomikisht, nuk ka kurrfarë logjike të mbahen të ngrira këto mjete, por kjo më shumë ka karakter politik. Ligji apo Rregullorja e UNMIK-ut e ka krijuar një fond të ngrirë, i cili duhet të shërbejë eventualisht për kompensimin e pretenduesve apo kreditorëve të mundshëm”, thotë Kastrati.

Ekspertët e çështjeve ekonomike, konsiderojnë se Kosovës i duhen këto mjete, kur kihet parasysh niveli i ulët i zhvillimit në vend dhe rrjedhimisht si të tilla, këto mjete do të mund të futeshin në realizimin e projekteve kapitale, të cilat do të ndikonin edhe në uljen e papunësisë.

Mejdi Bektashi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se largimi i këtyre mjeteve nga aktivitetet ekonomike ka një efekt mjaft negativ në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës, pasi që në masë të madhe, sipas tij, në Kosovë është zvogëluar oferta e parave të gatshme.

“Problemi është se në asnjë shtetet të ish-Jugosllavisë, por as shteteve socialiste ku është bërë privatizimi, nuk është përdorur strategjia e njëjtë që mjetet e privatizimit të mbahen në mirëbesim, por të njëjtat janë përdorur në mënyra dhe forma të ndryshme për stimulimin e zhvillimit ekonomik dhe social të shteteve përkatëse”, tregon profesor Bektashi.

Ai kërkon që Ligji për AKP-në, i cili rregullon këtë segment, të ndryshojë sa më shpejt, me qëllim që pjesa më e madhe e këtyre mjeteve të hyjnë në funksion të ekonomisë.

Në këtë rast, së pari duhet të ndryshohet neni 19, respektivisht paragrafi 2 dhe 3 me qëllim që këtij institucioni t’i mundësohet që ato para të grumbulluara që e varfërojnë buxhetin dhe paratë e gatshme të jenë në dobi dhe të përdoren për zhvillimin ekonomik”, vlerëson Bektashi.

Zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit tashmë kanë deklaruar se Fondet e Privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore mbahet në mirëbesim në Bankën Qendrore të Kosovës dhe gjithçka është e rregulluar në bazë të Ligjit.

Në Ligjin për AKP-në thuhet se agjencia përcakton dhe deklaron si “Fonde Tepricë, deri në shtatëdhjetë e pesë për qind (75%) të çdo të ardhure që e tejkalon maksimumin e vlerës së përllogaritur, të grumbulluar, të pretendimeve përkatëse të kreditorit dhe interesave të pohuara të pronësisë, dhe menjëherë i transferon ato Fonde Tepricë, si ‘para publike’, të cilat mund të shfrytëzohen për zhvillimin ekonomik të vendit, me aprovim të Kuvendit të Kosovës.

Fondi i Privatizimit prej mbi 600 milionë eurosh është arritur nga privatizimi dhe likuidimi i ndërmarrjeve të shoqërore në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG