Ndërlidhjet

Obama thotë se IS-i është vënë në defensivë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, duke folur në selinë e CIA-s në Virxhinia.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, duke folur në selinë e CIA-s në Virxhinia.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se koalicioni ndërkombëtar që lufton Shtetin Islamik (IS) në Siri dhe Irak e ka vënë grupin ekstremist në defensivë, duke i tkurrur territorin dhe duke i sulmuar udhëheqësit e tij të lartë.

“Sot, në Siri dhe në Irak, Shteti Islamik është në defensivë. Koalicioni ynë prej 66 anëtarësh, përfshirë partnerët arabë, është në ofensivë. Kemi marrë vrull dhe synojmë ta mbajmë këtë vrull”, ka thënë Obama pas takimit me këshilltarët e sigurisë kombëtare në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës.

Koalicioni që udhëheq SHBA-ja ka kryer mbi 11,500 sulme ajrore kundër caqeve të Shtetit Islamik në Siri dhe Irak.

Obama ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të sulmojnë udhëheqësit e grupit ekstremist.

“Për udhëheqjen e Shtetit Islamik kanë qenë disa muaj të këqij. Forcat e koalicionit kanë kapur Abu Dawudin, lider i programit të armëve kimike; kemi larguar Abu Sarahin, financier i Shtetit Islamik në Irak; Haji Imanin, shef i financave i IS-it; Ezat al-Jabourin, figurë e IS-it në Irak, e mos të përmend një numër të luftëtarëve të huaj. Ata janë jashtë terrenit. Dhe, në javët dhe ditët në vazhdim, synojmë të largojmë figura të tjera”, ka thënë Obama, duke shtuar se Uashingtoni do të vazhdojë të ndihmojë Irakun dhe të shtyjë përpara bisedimet për paqe në Siri.

Obama ka thënë se fundi i luftës pesëvjeçare në Siri do të jetë kyç për mposhtjen e Shtetit Islamik.

”Pushimi i armiqësive në luftën civile të Sirisë është mbajtur në masë të madhe, për rreth gjashtë javë. E ka reduktuar dhunën, por nuk e ka eliminuar atë. Reduktimi është i rëndësishëm dhe ka lejuar ndihmat humanitare të arrijnë te populli sirian. Armëpushimi ka shpëtuar jetë. Por, siç e kemi parë në Alepo dhe zona të tjera, armëpushimi është i brishtë dhe nën tendosje”, ka thënë Obama.

Përshkallëzimi i luftimeve midis forcave qeveritare dhe luftëtarëve të Frontit al-Nusra në Alepo është thënë se mund të kërcënojë edhe bisedimet për paqe në Siri, të ndërmjetësuara nga Kombet e Bashkuara.

Lufta civile në Siri, e cila ka nisur qysh në vitin 2011, ka vrarë mbi 270,000 njerëz dhe ka zhvendosur gjysmën e popullsisë.

Fjalimi i Obamës në selinë e CIA-s në Virxhinia është bërë një javë para se ai të udhëtojë në Arabinë Saudite, për një samit me udhëheqësit e Gjirit Persik, i cili do të fokusohet kryesisht në kërcënimin që paraqet Shteti Islamik.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG