Ndërlidhjet

Perteshi: Mungon koordinimi për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm


Skënder Perteshi - QKSS
Skënder Perteshi - QKSS

“Nuk ka koordinim as në mes të Këshillit të Sigurisë Kombëtare as të sekretariatit në përgjithësi. Nuk ka koordinim as në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme e as nivelit lokal të komunave. Kapacitetet e komunave për tu marrë me këtë teme janë shumë minimale apo në disa raste, komunat e Kosovës nuk e shohin si problem ekstremizmin e dhunshëm dhe konsiderojnë se nuk është i rëndësishëm”, thotë Skënder Perteshi nga Qendra Kosovare për Siguri.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Perteshi, Evropa tashmë është përfshirë në shënjestër të sulmeve terroriste, siç ishin ato në Paris e Bruksel. Sa është e rrezikuar edhe Kosova në këtë mes?

Skënder Perteshi: Kosova si çdo vend i Ballkanit mund të jetë e rrezikuar nga sulmet terroriste në përgjithësi. Mirëpo, për momentin nuk ka ndonjë indikacion që IS-i ose organizata të tjera e kanë në shënjestër Kosovën për të organizuar sulmet terroriste në përgjithësi në Kosovë. Qëllimi kryesor i tyre është që të mbjellin frikë dhe të merret liria nga qytetarët evropianë dhe në përgjithësi njerëzve që nuk e përqafojnë ideologjinë e tyre.

Shënjestrat e tyre për ta përhapur frikën dhe tmerrin dhe thjesht ta limitojnë ose ta ulin nivelin e lirisë në këto vende evropiane, janë qendrat evropiane që kanë rol shumë të madh në marrëdhëniet ndërkombëtare siç është Parisi, Brukseli, Stambolli apo ndonjë vend tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Organizata juaj ka bërë disa hulumtime lidhur me qytetarët nga Kosova të cilët u janë bashkuar organizatave terroriste në Lindjen e Mesme. Ndërkohë që institucionet e Kosovës thonë se numri i kosovarëve që dyshohet se janë në ato vatra aktualisht sillet rreth 70. Sa konsideroni se janë të besueshme këto shifra?

Skënder Perteshi: Numri i deritanishëm i qytetareve të Kosovës ka qenë rreth 300 që kanë shkuar e disa nga ta janë kthyer. Në përgjithësi, mes 50 deri në 70 është shifra e saktë e qytetarëve të Kosovës që për momentin janë duke luftuar në luftërat e Sirisë dhe Irakut si pjesë e IS-it ose Al-Nusra në përgjithësi.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë ato rrugë që këta persona nga Kosova janë duke i shfrytëzuar për të shkuar në vatrat e luftës në Siri e Irak?

Skënder Perteshi: Deri më tani ka qenë Aeroporti i Prishtinës që nëpërmjet tij kanë aderuar në Stamboll dhe kanë vazhduar për në luftën e Sirisë. Ndërsa, tash e tutje nuk po përdoret më Aeroporti i Prishtinës për shkak të masave të forta të kontrollit dhe tash është e pamundur për dikë që të shfrytëzojë këtë aeroport për të shkuar në luftën e Sirisë.

Rruga që është duke u përdorur aktualisht është ajo përmes Aeroportit të Shkupit direkt në Stamboll, ose nga Aeroporti i Shkupit me tranzit në aeroportet e Gjermanisë dhe prapë vazhdojnë në Stamboll dhe tutje në Atakja, Adane në qytetet të tjera të Sirisë dhe i bashkohen luftërave.

Mirëpo, në shtat muajt e fundit nuk është raportuar asnjë rast që dikush nga qytetarët tanë kanë shkuar për të marrë pjesë në luftën e Sirisë dhe të Irakut. Është arritur një vetëdijesim i qytetarëve tonë që duhet të komunikohet dhe për çdo rast qytetarët i raportojnë policisë. Për çdo rast qytetarët i raportojnë institucioneve të sigurisë në përgjithësi. Kjo është ajo mënyra e besimit ose argumentet që të dhënat që i marrim në përgjithësi janë të besueshme.

Radio Evropa e Lirë: Organizata juaj në vazhdimësi ka kritikuar institucione se janë duke u marrë shumë me pasojat e këtij fenomeni dhe më pak me parandalimin e të keqes. Çka konkretisht besoni se është dashur të bëjnë autoritetet në Kosovë për parandalimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit?

Skënder Perteshi: Ne jemi marrë shumë me luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Jemi marrë shumë me luftimin e pasojave, por aspak nuk jemi marrë me parandalim, përveç miratimit të një strategjie edhe miratimit të ligjit që i ndalon qytetarët e Kosovës të marrin pjesë në luftëra të huaja. Niveli qendror, qeveria është më sy hapur në drejtim të luftimit të ekstremizmit të dhunshëm. Por, fundi i fundit nivelit qendror i takon të caktojë buxhetin, politikat edhe t'i miratojë. Këto janë miratuar, mirëpo, në nivelin lokal nuk ka koordinim.

Nuk ka koordinim as në mes të Këshillit të Sigurisë Kombëtare as të sekretariatit në përgjithësi. Nuk ka koordinim as në mes të Ministrisë së Punëve të Brendshme e as nivelit lokal të komunave. Kapacitete e komunave për tu marrë me këtë teme janë shumë minimale, po ashtu edhe mungon vet vullneti politik i komunave të Kosovës për tu marrë me ekstremizmin e dhunshëm. Do të thotë se komunat e Kosovës nuk e shohin si problem ekstremizmin e dhunshëm dhe konsiderojnë se nuk është i rëndësishme.

Madje disa nga komunat që janë me të influencuara nga ekstremizmi i dhunshëm siç është rajoni i Gjilanit, me të vërtetë e relativizojnë këtë problem.

Në bazë të takimeve që kemi pasur, nuk kanë treguar një bashkëpunim konkret ose për te dhenë një besim se ata janë në gjendje me luftuar ekstremizmin e dhunshme ose radikalizmin.

Për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm mungon një koordinim total mes ministrive të caktuara, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Arsimit dhe Sekretariatit të Këshillit për luftimin e këtij e këtij fenomeni.

Është rasti kur ministri i Punëve të Brendshme i viziton të gjitha komunat e Kosovës, diskuton për çështjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe strategjinë. Në të njëjtën kohë edhe një grup tjetër i Këshillit të Sigurisë nacionale prap i humb një muaj vetë t'i takojë kryetaret e komunave për të diskutuar për të njëjtën temë për të njëjtën informata. Do të thotë nuk ka koordinim të politikave e aktiviteteve se çka në të vërtet duhet bërë me ketë punë ose fenomen.

Radio Evropa e Lirë: çfarë mund të bëj Kosova për të luftuar ekstremizmin dhe terrorizmin marrë parasysh kapacitetet e limituara të saj në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes?

Skënder Perteshi: Nëse ka vullnet për ta parandaluar këtë sfidë ose ketë problem, atëherë mundet me pas edhe sukses. Në përgjithësi është e vërtetë se për implementimin e planit të strategjisë kundër ekstremizmit të dhunshëm nevojitet edhe ndihma financiare. Mirëpo, këto ndihma financiare nuk mungojnë, ka donacione prej Bashkësisë Ndërkombëtare, sidomos nga Ambasada Amerikane ose nga SHBA-të, ato janë të gatshme të japin fonde.

Mirëpo, ajo që është shqetësuese është se gjithçka po varet nga fondet e huaja. Nuk ka ndonjë planifikim ndonjë qëndrueshmëri që Qeveria e Kosovës të ketë një fond konkret dhe në një afat të gjatë të merret me ketë fenomen. Edhe pse ne po merremi me ketë çështje në Kosovë, kjo dukuri nuk do të zgjidhet, nuk do të largohet krejtësisht pasi që për sa kohë që ekziston problemi i ekstremizmit të dhunshëm në nivel global edhe ne do të afektohemi.

Për sa kohë që do të ketë organizata terroriste që luftojnë në Lindje të Mesme qoftë edhe ne ndonjë vend tjetër mysliman, ne do të kemi viktima, qytetarët tonë që kanë me marrë pjesë në këto luftime. Ajo që mund të bëjmë në është një koordinim më të mirë mes të gjitha institucioneve shtetërore, shoqërisë civile, medieve edhe Bashkësisë Islame dhe te kemi një plan konkret e buxhet që në një afat të gjatë ta luftojmë këtë fenomen e jo të bazohemi vetëm në fonde të huaja.

Ajo çka duhet të bëhet e shpjegohet është vetëdijshmi i njerëzve dhe tu thuhet se me të vërtetë është keq për të marrë pjesë në luftën e Sirisë e Irakut. Qytetarët tonë që kanë marrë pjesë në këtë luftë janë më të margjinalizuarit, janë me të pa edukuarit dhe udhëtimi i parë i tyre ka qenë në Siri.

Do të thotë, ta kuptojnë ata që janë të rëndësishëm për vendin e tyre, mos të lejojnë një organizatë tjetër pak a shumë t'ua rris ose rregullon egon e tyre. Duhet përmirësimi i sistemit të edukimit, luftimi i korrupsionit krimi i organizuar sundimi i ligjit.

Bashkësia Islame e Kosovës duhet ta rris prezencën e vet që vet t’i edukojë në aspektin fetar qytetaret e saj dhe të mos lejojë hapësirë për institucionet e tjera që të vijnë dhe të flasin për fenë ose diçka tjetër.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët Bashkësinë Islame të Kosovës, flitet se në këtë institucion fetar ka pasur një reformim për shkak të zgjedhjeve që ka pasur aty. A prisni që tash që BIK do të ketë një rol me të madh në parandalimin e ekstremizmit të dhunshme?

Skënder Perteshi: Edhe pse kanë ndodhur zgjedhjet brenda Bashkësisë Islame të Kosovës nuk pres ndonjë gjë shumë të madhe dhe për arsyeje se edhe komuniteti mysliman në Kosovë edhe BIK, deri në një masë e ka relativizuar problemin e ekstremizmit të dhunshëm.

Nga takimet që kemi pasur me qytetarët e Kosovës në komuna të ndryshme, qytetaret e besimit islam në Kosovës janë munduar me reduktuar ketë problem duke thënë se ky problem nuk ekziston, por ky problem ekziston në Kosovë.

Së pari në Bashkësinë Islame duhet të rritet vullneti për ta luftuar ketë fenomen. Deri vonë janë munduar ta amnistojnë këtë problem sidomos deri ne fillim të vitit 2014. Janë munduar ta amnistojnë këtë problem shkaku i mungesës së informacioneve, vetë shteti dhe BIK-u nuk e kanë ditur se si të ballafaqohen me luftën e Sirisë.

Do të thotë një opozitë që të gjithë kanë qenë të gatshme të ndihmojnë por, nuk kanë treguar se si të ndihmojnë. Nuk kanë treguar a duhet të ndihmohet duke dhënë para për refugjatët apo duhet edhe qytetarët tanë të shkojnë për të luftuar atje. E qytetarët e Kosovës që kanë qenë të pa edukuar dhe pa gjykuar drejtë, kanë menduar se mund t'ju ndihmohet edhe nëse shkon dhe lufton në Siri. Deri më tani, komuniteti mysliman nuk ka qenë në gjendje edhe në nivel global edhe këtu të ne të ndajë ekstremizmin e dhunshëm nga islami.

Deri vonë, nëse dikush ka folur për ekstremizmin e ka sulmuar islamin në përgjithësi. Institucionet thonë se çështjen e korrupsionit, stabilitetin politik dhe sfidat e tjera të sigurisë mundohen t’i paraqesin si primare ose thonë se ekstremizmi i dhunshëm nuk është asgjë se kemi sfida më të mëdha. Është fakt se edhe ato janë sfida, mirëpo ekstremizmi i dhunshëm është sfidë në rritje për Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG