Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen u kërkoi të premten liderëve në Bosnjë e Hercegovinë që të punojnë së bashku për ta sjellë vendin më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Bosnja aplikoi për t'u anëtarësuar në BE në vitin 2016, por liderët e saj nuk kanë bërë pothuajse asgjë për të nisur reformat që u përcaktuan si të nevojshme për përparimin në rrugën drejt BE-së.
Von der Leyen u kërkoi liderëve të Presidencës trepalëshe të mblidhen për ta kthyer Bosnjën, një vend që popullsia e së cilës mbështet anëtarësimin në BE, "në një shtet të ëndrrave të të rinjve".
"Dera e Bashkimit Evropian është e hapur, ju lutem shfrytëzoni rastin dhe shfrytëzojeni këtë ftesë, dhe kjo tashmë varet nga ju", u tha ajo politikanëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile gjatë një vizite në Sarajevë, pjesë e një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Evropian rekomandoi këtë muaj që Bosnjës t'i jepej statusi i kandidatit me kushtin që ajo të përforcojë demokracinë dhe të ndërmarrë hapa të tjerë të nevojshëm.
SHIKONI EDHE: Millorad Dodik konfirmohet president i Republikës SërpskaGjatë vitit të kaluar, vendi ballkanik përjetoi krizën më të rëndë politike që nga fundi i luftës në vitet 1990, mes politikave separatiste të liderit të saj serb, Millorad Dodik, dhe grindjeve midis boshnjakëve dhe kroatëve mbi rregullat zgjedhore.
Këshilli i Ministrave të BE-së do të votojë mbi statusin e kandidaturës në dhjetor edhe pse analistët dyshojnë se deri atëherë Bosnja do të jetë në gjendje të kryejë reformat e nevojshme, veçanërisht pasi qeveritë e reja nuk janë formuar ende pas zgjedhjeve të 2 tetorit.
Von der Leyen tha se Bosnja do të merrte 70 milionë euro (nga paketa 500 milionë euroshe e BE-së) si ndihmë për krizën energjetike dhe mbështetje të menjëhershme për familjet dhe bizneset në nevojë.
Ajo inauguroi një tunel në një autostradë të ndërtuar me fondet e BE-së, 542 milionë euro të dhëna në formën e granteve.