Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve në Kosovë, Lukas Mandl, tha të dielën (14 nëntor) se 62 vëzhgues të BE-së po monitorojnë për së afërmi procesin zgjedhor në 21 komuna dhe se do të vëzhgojnë për së afërmi edhe procesin e numërimit.
“Inkurajoj qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e votës të shkojnë në vendvotime, të votojnë për njërin ose tjetrin kandidat, dhe të kontribojnë në demokraci”, tha Mandl gjatë një paraqitjeje para gazetarëve.
Ai tha se një raport preliminar sa i takon procesit zgjedhor do të publikohet nga ana e vëzhguesve të martën (16 nëntor).
SHIKONI EDHE: DnV: 97 për qind e qendrave të votimit janë dezinfektuarQytetarët e Kosovës sot (14 nëntor) po votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës.
Valmir Elezi, zëdhënës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka bërë të ditur se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë.
Sipas KQZ-së, të drejtë vote në këtë rund zgjedhjesh kanë 1,260,571 qytetarë dhe ata do të mund të votojnë në 575 qendra votimi me 1,638 vendvotime.
Sipas të dhënave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar mbi 7 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.