Rusia intensifikon sulmet në Donjeck

Ushtria ukrainase duke sulmuar me obusë. Rajoni i Donjeckut, 8 nëntor 2022.

Trupat ruse kanë intensifikuar sulmet e tyre në Bahmut dhe Avdivivka, në rajonin ukrainas të Donjeckut, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase më 15 dhjetor. Moska po ashtu po vazhdon të kryejë sulme në tërë linjën e frontit në lindje, pas sulmeve me dronë në Kiev dhe një bombardimi vdekjeprurës në Herson.

Shtabi i Përgjithshëm tha se rusët po tentojnë të stabilizojnë pozicionet e tyre taktike rreth Kupjanskut në lindje të rajonit të Harkovit dhe në juglindje të Zaporizhjës.

“Armiku ka kryer 31 sulme ajrore dhe 8 sulme me raketa ndaj infrastrukturës civile në rajonin e Donjeckut, dhe po ashtu ka hedhur 61 raketa nga sistemet raketore”, tha Shtabi i Përgjithshëm.

Ushtria ukrainase shtoi se rreziku nga sulmet ajrore ruse ndaj infrastrukturës civile ukrainase vazhdon të jetë i lartë në mbarë vendin.

SHIKONI EDHE: Rusia vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës së energjisë ukrainase

Më 14 dhjetor, Rusia dëmtoi dy ndërtesa administrative në Kiev pas sulmeve me dronë. Por, në masë të madhe sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase arritën të rrëzonin dronët. Po ashtu, Rusia ka kryer bombardime në qytetin e çliruar së fundi, Herson, duke vrarë dy persona.

Moska po ashtu ka vazhduar presionin në mbarë vijën e frontit dhe ka vazhduar të sulmojë zonat civile, tha ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba.

SHIKONI EDHE: Ushtria ukrainase raporton për luftime të ashpra në lindje

Ai shtoi se aftësia e Rusisë për të kryer “ofensiva të mëdha mund të rikthehet" në fund të janarit apo të shkurtit.

Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt dhe që nga tetori po kryen sulme ndaj infrastrukturës së energjisë, duke lënë miliona ukrainas pa furnizim me rrymë.