Obama, në listën e 500 amerikanëve që u ndalohet hyrja në Rusi

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama.

Ministria e Jashtme e Rusisë ka thënë të premten se ish-presidenti amerikan, Barack Obama, është në mesin e 500 shtetasve amerikanë, të cilëve u ndalohet hyrja në Rusi.

Ky vendim, sipas autoriteteve ruse, është marrë si përgjigje ndaj valës së fundit të sanksioneve të Uashingtonit ndaj Moskës.

Ministria ruse ka thënë, po ashtu, se Rusia e ka refuzuar kërkesën e SHBA-së për të fituar qasje te gazetari i ndaluar i të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, Evan Gershkovich.

Ai është arrestuar në muajin mars, nën dyshimet për spiunim.

SHIKONI EDHE: Rusia refuzon kërkesën e SHBA-së për ta vizituar gazetarin e burgosur

Ky hap është nxitur nga refuzimi i SHBA-së, muajin e kaluar, për t’iu dhënë viza dy mediave që kanë udhëtuar me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Kombet e Bashkuara, është thënë në njoftim.

“Uashingtoni duhet ta ketë mësuar që një kohë, se asnjë sulm i vetëm armiqësor ndaj Rusisë, nuk do të mbetet pa pasoja”.

Më herët gjatë së premtes, Shtetet e Bashkuara kanë sanksionuar më shumë se 300 shënjestra, me qëllim të ndëshkimit të Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.

Veprimi i fundit është konsideruar si një prej valëve më të rënda të sanksioneve të vendosura nga SHBA-ja.

Sipas autoriteteve amerikane, sanksionet prekin të hyrat e ardhshme ruse në fushën e energjisë dhe zinxhirin e furnizimit me pajisje ushtarako-industriale.