Marrëveshja Kosovë - Serbi mund ta shfuqizojë Rezolutën 12 44

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ai i Kosovës, Hashim Thaçi.

Arritja e një marrëveshjeje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do ta zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve, do të kërkojë edhe formalizimin e saj dhe ky formalizim duhet të bëhet përmes miratimit në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, vlerësojnë njohësit e çështjeve juridike.

Arsim Bajrami, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se një marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të sponsorizohej nga Bashkimi Evropian, i cili është lehtësues i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

SHIKONI EDHE: Mogherini: Marrëveshjen përfundimtare Prishtinë-Beograd duhet ta mbështesë KS i OKB-së

Por, sipas tij, marrë parasysh që OKB-ja është e përfshirë në çështjen e Kosovës, përmes Rezolutës 12 44, me të cilën e ka mandatuar administrimin ndërkombëtar, për Kosovën, siç thotë ai, do të ishte me interes që marrëveshja eventuale me Serbinë, të pranohej nga Këshilli i Sigurimit.

“Kjo marrëveshje duhet edhe formalisht ta shfuqizojë tërësisht Rezolutën 12 44 dhe duhet të zëvendësohet me një rezolutë tjetër, e cila do t’i hapë rrugë anëtarësimit brenda OKB-së. Në një mënyrë, me këtë rezolutë do t’i jepej fund administrimit ndërkombëtar, i cili është përcaktuar me Rezolutën 12 44 dhe do të bëhej një lloj njohje e pavarësisë së Kosovës nga ana e shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit. Me këtë hapet rruga që përmes një rezolute të re të trasohet rruga e anëtarësimit të plotë të Kosovës brenda Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, thotë Bajrami.

Mendim të përafërt ka edhe Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai shpreh mendimin që megjithatë përmbajtja e marrëveshjes eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk ka pse të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Unë mendoj që, si marrëveshje, nuk ka nevojë, sepse fundja, marrëveshja do të jetë produkt i negociatave bilaterale, pra produkt i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, duhet patjetër që të formalizohet kjo marrëveshje, sepse deshëm ose jo të pranojmë, ne në Kosovë kemi Rezolutën 12 44 në fuqi, pra një akt juridik të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ndryshimi i gjithë këtyre rrethanave mund të ndodhë vetëm në rastin kur shfuqizohet kjo rezolutë, e cila do të pasohej nga një rezolutë tjetër, që do të reflektojë përmbajtjen e marrëveshjes që pritet të arrihet”, thekson Hoti.

Njohësit e çështjeve juridike vlerësojnë se rikthimi i çështjes së Kosovës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në formën e një marrëveshjeje që do të arrihej të formalizohej, nuk e rrezikon shtetësinë e Kosovës, e cila është ndërtuar pas shpalljes së pavarësisë së vendit, më 17 shkurt 2008.

SHIKONI EDHE: Dilemat për dialogun pa ‘vija të kuqe’

Profesor Bajrami shpreh mendimin që në radhë të parë përgjegjësinë për mbrojtjen e shtetësisë së vendit do ta kenë institucionet e Kosovës në tavolinën e negociatave me Serbinë. Sipas tij, ato duhet të jenë të kujdesshme që të mos e pranojnë asnjë marrëveshje të re ndërkombëtare me Serbinë, që do ta cenonte shtetësinë dhe pavarësinë e vendit.

“Marrëveshja, e cila do të nënshkruhet në Bruksel, ajo duhet ta mbrojë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Nëse një marrëveshje e tillë, e cila në tërësi nuk i cenon interesat e Kosovës, do të marrë edhe dritën e gjelbër në Këshillin e Sigurimit, kjo Kosovës do t’i krijonte favore, sepse do t’ia mundësonte anëtarësimin e plotë në OKB".

"Natyrisht që do të ishte shumë e dëmshme, në qoftë se në Këshillin e Sigurimit hapet debati për marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe aty dizajnohet marrëveshja. Por, në qoftë se në këtë rast Këshillit të Sigurimit vetëm ratifikon marrëveshjen që palët e arrijnë në formatin e Bashkimit Evropian, atëherë Kosova nuk ka asnjë rrezik që mund t’i cenojë interesat veta”, vlerëson Bajrami.

Ndërkaq, profesor Hoti, thotë se nëse arrihet në marrëveshje eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në formatin e Bashkimit Evropian, atëherë bëhet fjalë për një produkt, për të cilin palët kanë rënë në ujdi.

“Sa herë që kemi ujdi në mes të palëve, atëherë debati i mëtejmë nga fuqitë tjera, përfshirë këtu edhe Këshillin e Sigurimit, është i panevojshëm. Mbi këtë bazë, mendoj që alfa dhe omega e kësaj marrëveshje është shprehja e vullnetit të Kosovës dhe të Serbisë për përmbajtjen”, shprehet Hoti.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka deklaruar të mërkurën, se u takon Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje që do të ishte e pranueshme dhe e përshtatshme për të dyja palët dhe se ajo marrëveshje përfundimtare “duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe do të duhet të mbështetet nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së”.

Aktualisht, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po shënon ngecje, për shkak se kjo e fundit po refuzon të vazhdojë dialogun pa u hequr taksa prej 100 për qind për mallrat serbe, të cilën masë e ka vendosur Qeveria e Kosovës.