Kremlini në linjë me qasjen e Trumpit për përdorimin e raketave amerikane nga Ukraina

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Kremlini ka thënë të premten se kundërshtimi i presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, që Ukraina të nisë raketa të dorëzuara nga amerikanët thellë në Rusi, “është në linjë të plotë” me pozicionin e Moskës.

Trump ka thënë në një intervistë të publikuar të enjten se nuk pajtohet aspak që Ukraina t’i përdorë armët amerikane për të goditur territorin rus.

Këto komente janë mirëpritur në Kremlin, i cili ka bërë të ditur të premten se ka nisur sulme masive në sektorin ukrainas të energjisë, si përgjigje ndaj sulmeve të Kievit me armë të dërguara nga SHBA-ja këtë javë.

“Deklarata është plotësisht në linjë me pozicionin tonë, me qasjen tonë rreth arsyeve për përshkallëzim. Kjo na impression. Është e qartë se Trump e kupton saktësisht se çfarë po e përshkallëzon situatën”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov para gazetarëve.

Në një intervistë për revistën amerikane Time, Trump ka thënë se nuk pajtohet aspak me nisjen e qindra raketave thellë në Rusi.

“Pse po e bëjnë këtë? Më duket se është vendim i marrë”.

SHIKONI EDHE: Trump e kritikon vendimin për ta lejuar Ukrainën të sulmojë thellë brenda Rusisë

Moska ka bërë thirrje vazhdimisht kundër furnizimit të Ukrainës me armë perëndimore, dhe ka thënë se nisja e armëve në tokën ruse i bën shtetet e NATO-s pjesëmarrëse direkte në konfliktin që ka nisur gati tre vjet më parë.

Trump ka thënë përgjatë fushatës zgjedhore se mund të arrijë marrëveshje për t’iu dhënë fund luftimeve brenda 24 orëve, dhe sa shkojnë e rriten spekulimet për mundësinë e arritjes së një armëpushimi pasi ai të inaugurohet si president.

Megjithatë, Kremlini ka thënë të premten se “parakushtet” për paqe me Ukrainën, nuk janë përmbushur ende.

“Ne nuk duam armëpushim, ne duam paqe, pasi të plotësohen kushtet tona dhe të arrihen të gjitha qëllimet”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Peskov.

Intervista e Trumpit është kryer para 27 nëntorit dhe para se ai të takonte presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky në Paris, në një takim të ndërmjetësuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.