KFOR-i thotë se do ta rrisë lëvizjen e trupave dhe automjeteve në ditët në vijim

Një kolonë e KFOR-it në veri të Kosovës më 2 qershor 2023.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi të mërkurën se do të ketë lëvizje të shtuar të trupave dhe automjeteve të saj në territorin e Kosovës gjatë ditëve në vijim, për siç tha, të kryer “procedura normale”.

Në një komunikatë për media më 16 gusht, Forca Ndërkombëtare Paqeruajtëse tha se "rritja e lëvizjes së trupave dhe automjeteve të KFOR-it brenda Kosovës është për shkak të procedurave normale të pranim-dorëzimit të kontingjenteve“.

KFOR-i shtoi se do të mbajë edhe ushtrime për testimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve operacionale, në mënyrë që të sigurohet niveli i njëjtë i stërvitjeve dhe gatishmërisë për të gjitha njësitë e ardhshme në terren.

SHIKONI EDHE: Escobar: Largimi i KFOR-it nga Kosova nuk është në tavolinë

“Derisa këto stërvitje do të kryen në një mënyrë që të minimizohet pengimi dhe ndikimi n popullatën vendore, ka mundësi të ketë vonesa në trafik dhe mund të shihen lëvizjet e ushtarëve. Prandaj, KFOR-i i këshillon shoferët të kenë vëmendje të posaçme nëse ndodhen afër kolonave të automjeteve ushtarake”, tha KFOR-i.

Sipas Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kosovës, që i dha fund luftës në Kosovë, KFOR është përgjegjës për sigurinë e kufijve të territorit të Kosovës.

Ushtrimet e KFOR-it vijnë pak muaj pasi dhjetëra ushtarë të tij u lënduan gjatë një përleshjeje me protestuesit serbë, pas përshkallëzimit të dhunës në fund të majit, kur serbët kundërshtuan hyrjen në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Dhuna e detyroi NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.

SHIKONI EDHE: KFOR-i konfirmon se ushtarit të lënduar në Zveçan i është amputuar këmba