Në Kosovë krijohet një databazë për hetimin e krimeve të luftës

Pllaka përkujtimore për viktimat e masakrës në fshatin Izbicë të Kosovës (fotografi nga arkivi).

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe Policia e Kosovës kanë zhvilluar një bazë të të dhënave për të lehtësuar hetimin e krimeve të luftës dhe zhdukjeve me forcë.

Në një deklaratë për media të EULEX-it thuhet se “kjo vegël u mundëson hetuesve që të organizojnë sasi të mëdha të të dhënave, të hetojnë raste komplekse dhe të ndërlidhura të krimeve të luftës dhe t'i përgatisin ato me sukses për ndjekje penale”.

“Baza e të dhënave ndihmon në ndërtimin e një rasti nga elementi kryesor i krimit, i cili mund të jetë një vend, një person ose një objekt. Ajo menaxhon një sasi të madhe të dhënash, si deklaratat e dëshmitarëve, dëshmitë mjeko-ligjore dhe informacione të hollësishme mbi datat dhe vendet ku janë kryer krimet, si dhe ndihmon hetuesit t’i identifikojnë të dyshuarit dhe t'i lidhin ata me ngjarje të veçanta”, tha Roland Burgsteiner, analist i EULEX-it për krimet e luftës, i cili ka ndihmuar në zhvillimin e bazës së të dhënave.

Burgsteiner shtoi se baza e të dhënave është në përdorim të plotë dhe tashmë përfshin rreth 400 raste të krimeve të luftës.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, më 1998/99, janë vrarë rreth 13,500 persona, shumica dërrmuese shqiptarë.

Mbi 1,600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për Kodin e Procedurës Penale, në bazë të të cilët do të rregullohet gjykimi në mungesë i të akuzuarve për krime lufte.

SHIKONI EDHE: Shpresë dhe skepticizëm për gjykimet në mungesë për krimet e luftës