Fotografitë e javës
Punëtoret në industrinë e seksit në Maqedoninë e Veriut mbajnë ombrella të kuqe përgjatë një proteste në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës në industrinë e seksit, në Shkup. Në vendin e tyre të punës punëtoret në industrinë e seksit përballen me rrezik më të lartë nga dhuna seksuale.
Szofia Bernat nga Hungaria, gjimnaste në disiplinën e gjimnastikës ritmike, përformon individualisht në garën ndërkombëtare të kësaj disipline që u mbajt në Moskë.
Zyrtarët talibanë të sigurisë duke shikuar kafshët në kopshtin zoologjik të Kabulit.
Në stacionin e metrosë, Osokorky në Kiev shihet murali i krijuar në vitin 2018 si pjesë e projektit “Më shumë se ne”, në të cilin morën pjesë artistë nga Ukraina, Zvicra, SHBA-ja, Spanja, Kosta Rika, Belgjika e Australia.
Fëmijët duke shikuar betejën mes gjelave në periferi të Islamabadit në Pakistan.
Ushtarët ukrainas duke qëndruar në rrugë derisa banorët lokalë kalojnë në fshatin Travneve, afër linjës së frontit në rajonin e Donetskut.
Një burrë duke mbajtur një qiri para portretit të viktimave të sulmit ndaj Akademisë ushtarake në Peshauar në Pakistan. Në qytet u shënua përvjetori i shtatë i masakrës që la 156 njerëz të vdekur.
Pas borës së madhe që ka rënë në periferi të Moskës, një grua ecën afër harkut të dritës, instilacion i vendosur në prag të festave të fundvitit.
Të rinjtë në Afganistan kënaqen në borën e parë që ka rënë këtë vit në Kabul më 15 dhjetor.
Punëtorët në sektorin e gastronomisë në Kosovë, marrin pjesë në protestën e organizuar për të kundërshtuar masat kundër COVID-19 në Prishtinë, më 15 dhjetor.
Mjekët dhe infermierët me pajisje mbrojtëse kujdesen për një pacient të infektuar me COVID-19 në spitalin, Szent Laszlo në Budapest. Hungaria renditet ndër pesë vendet e para për kokë banori sa i përket numrit të të vdekurve nga koronavirusi.
Shikuesit duke u mbledhur jashtë stadiumit në Karachi për të parë një ndeshje kriketi më 13 dhjetor.
Një protestuese duke mbajtur një qiri derisa qytetarët u mblodhën para Gjykatës Supreme ruse në Moskë më 14 dhjetor. Gjykata Supreme shqyrtonte kërkesën e prokurorëve, për të mbyllur organizatën më të njohur dhe më prestigjioze të të drejtave të njeriut, Memorial International.
Gratë afgane të mbuluara me burka të ulura para një salloni të bukurisë në qytetin Xhalalabad, derisa fotografitë e këtij salloni janë mbuluar me ngjyrë.
Policia duke ekzaminuar vendin e ngjarjes ku ndodhi një aksident afër kufirit mes Serbisë e Hungarisë. Vetura e cila pësoi aksident barte migrantë e refugjatë dhe shtatë persona vdiqën. Sipas policisë ngasësi nuk ndaloi për kontroll policore dhe iku me shpejtësi të lartë.
Pamje nga një park i argëtimit në Tregun e Krishtlindjeve në Sheshin e Kuq në Moskë.
Qytetarët duke bartur maska dhe kostume në pritje për të parë një përformancë të traditave dimërore në “Muzeun e fshatit” në Bukuresht. Sipas traditës, valltarët veshin kostume me shumë ngjyra dhe gëzofë të kafshëve, derisa duke vallëzuar largojnë shpirtrat e ligë.
Një grua e mbuluar me burka me fëmijë në duar kalon afër një luftëtari taliban përgjatë një rruge në qytetin Xhalalabad në Afganistan.
Pjesëmarrësit e veshur në kostumin e Babadimrit marrin pjesë në një vrapim humanitar në Prishtinë më 12 dhjetor.