"Stop femicidit" kishte shkruar një vajzë në fytyrën e saj gjatë marshimit në Prishtinë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
“Marshojmë s’festojmë” ishte slogani i sivjetmë i marshit ku u bë thirrje për më shumë siguri për vajzat dhe gratë në Kosovë.
Protesta nisi para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë dhe vazhdoi edhe në sheshin Zahir Pajaziti në mesditë.
Përfaqësues të Rrjetit të Grave të Kosovës u kanë thënë të mërkurën mediave se as këtë vit nuk do të festohet, pasi gjendja e grave në shoqëri vazhdon të mbetet shqetësuese.
Gratë protestuan me tiganë në duar për të drejta të barabarta me burrat dhe pjesëmarrje edhe në punët e shtëpisë.
“Si e mbijetuar e dhunës në familje, prej që e kam raportuar rastin më 2021, po bëhen dy vjet që unë luftoj për drejtësi dhe të drejtat e mia. Unë jam dëshmitare e neglizhencës, mosbesimit dhe padrejtësive të vazhdueshme që u bëhen grave nga policia, prokuria dhe gjykata”, tha Elvedina Hajdari, viktimë e dhunës në familje.
"Boll ma", “Patriarkati vret”, “Vrasjet ndaj grave janë të paralajmëruara” jan vetëm disa nga thirrjet që u dëgjuan në protestën e mbajtur në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, në Prishtinë
Protestuesit janë dëgjuar edhe duke kërkuar dënime maksimale për vrasësit, dhunuesit dhe ngacmuesit e grave, dhe për më shumë siguri për gratë në ambientet publike dhe private.
Në protesta janë dëgjuar edhe porositë: "Punë për mu çfarë pune du" dhe "Boll ma".
Pamje nga protesta e mbajtur në Tiranë.
Një grua duke mbajtur një pankartë me mbishkrimin "Gratë nuk janë të sigurta në Shqipëri".
Mijëra këpucë të kuqe u vendosën në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë në shenjë proteste kundër dhunës ndaj grave në familje dhe shoqëri.
Gratë në Sarajevë duke protestuar në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 Mars.
Një grua nga Bihaqi mban një pankartë me mbishkrimin "Ne nuk do të vdesim në heshtje".
Një tjetër pamje nga protesta në Sarajevë.
"Vajzat drejtojnë botën", ishte një nga pankartat që mbanin disa gra protestuese në Podgoricë në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Në protestën e mbajtur në Podgoricë, Mali i Zi, kishte edhe burra.
Nga protesta e grave në Podgoricë.
Në Beograd një protestë e ngjashme u mbajt në mbrëmje.
"Më punëso" shkruante në një nga pankartat që mbanin protestuesit në Beograd në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Pamje nga protesta në Beograd ku sikurse në gjithë rajonin gratë kërkuan më shumë të drejta dhe më shumë siguri në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
Me thirrjet “Patriarkati vret” dhe “Vrasjet ndaj grave janë të paralajmëruara” kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, protestoi të mërkurën, në kërkim të respektimit të të drejtave të grave në Kosovë. Protesta u mbajtën edhe në Tiranë, Sarajevë, Podgoricë e Beograd në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.
(Përgatiti: Syzanë Paçarizi)