AP
Fjalimi vjetor drejtuar kombit është një nga ngjarjet politike më të mëdha çdo vit. Ai është i rrënjosur në një kërkesë të thjeshtë në Kushtetutën e SHBA-së që e drejton presidentin që "t'i japë Kongresit informacionin për gjendjen e vendit dhe t'i rekomandojë shqyrtimin e atyre masave që ai do t'i gjykojë të nevojshme dhe të përshtatshme". Por, në kohët moderne, është një ekstravagancë televizive ku çdo detaj shqyrtohet me kujdes.
Ja se si të shikoni dhe çfarë të kërkoni gjatë fjalimit të presidentit Joe Biden më 7 mars (8 mars me kohën e Evropës).
Ku të shikoni?
Fjalimin vjetor drejtuar kombit mund ta gjeni në të gjitha rrjetet kryesore në SHBA, të cilat do ta transmetojnë drejtpërdrejt. Ai, gjithashtu, do të transmetohet në internet nga Shtëpia e Bardhë dhe Associated Press. Fjalimi fillon në orën 21:00 (ora 3 e mëngjesit me kohën e Evropës).
Kasti i personazheve
Ju mund të vëreni një fytyrë të re pas Bidenit kur ai të fillojë fjalimin e tij. Republikani Mike Johnson i Luizianës u bë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në tetor, pasi republikanët e pakënaqur rrëzuan republikanin Kevin McCarthy të Kalifornisë. Përfaqësuesja Nancy Pelosi e kishte këtë detyrë përpara McCarthyt, por e humbi atë kur demokratët nuk arritën të mbanin shumicën në zgjedhjet e mesmandatit më 2022.
Kjo e bën Johnsonin kryetarin e tretë të Dhomës së Përfaqësuesve që ulet pas Bidenit gjatë fjalimit vjetor drejtuar kombit, duke reflektuar paqëndrueshmërinë politike në Uashington dhe një ndryshim sfidues për Bidenin.
Udhëheqja e Dhomës së Përfaqësuesve ka rënë më tej nën ndikimin e krahut të djathtë të dhomës, duke e bërë më të vështirë për presidentin të bëjë marrëveshje me partinë kundërshtare.
Mosha e Bidenit
Biden do të shikohet më me kujdes kryeisht edhe për shkak të moshës së tij. Në moshën 81-vjeçare, ai është komandanti më i vjetër në histori dhe do të ishte 86 vjeç në fund të një mandati të dytë të mundshëm.
SHIKONI EDHE: Gjykata Supreme vendos se Trumpi mund të mbetet në garë për presidentDonald Trump, paraardhësi republikan i Bidenit dhe kundërshtar i mundshëm në zgjedhjet e këtij viti, është 77 vjeç. Shumica e amerikanëve dyshojnë se njëri prej tyre ka aftësitë mendore për të shërbyer si president, sipas një sondazhi të ri nga Qendra për Çështjet Publike të Associated Press-NORC.
Fjalimi vjetor është një shans për Bidenin për t’i larguar dyshimet nëse ai është i gatshëm për këtë detyrë në moshën kur shumica e amerikanëve janë në pension. Çdo rrëshqitje verbale ose konfuzion i dukshëm do të shkonte në favor të kundërshtarëve të tij.
Agjenda e politikave
Mbani veshët hapur për çdo propozim të ri politikash. Fjalimi drejtuar kombit është një shans për presidentët që të parashtrojnë qëllimet e tyre dhe të mbledhin amerikanët për t’i mbështetur planet e tyre. Për shembull, Biden përdori një fjalim të mëparshëm për të diskutuar "agjendën e tij të unitetit", e cila përfshinte përfitime të zgjeruara të kujdesit shëndetësor për veteranët.
Shtëpia e Bardhë nuk ka zbuluar propozime specifike që do të jenë në fjalimin e këtij viti. Por, ai mund t'u referohet punëve të papërfunduara që nga mandati i tij i parë dhe ka të ngjarë të bëjë presion për ndihmë ushtarake për Ukrainën për të përforcuar udhëheqjen amerikane jashtë shtetit.
Të ftuar specialë
Ka më shumë se thjesht ligjvënës dhe zyrtarë të lartë në sallë për fjalimin. Politikanët sjellin të ftuar në galeri për të vënë në dukje çdo çështje që duan të vënë në pah.
Mysafirë të profilit më të lartë ftohen nga Shtëpia e Bardhë dhe shpesh bëhen të njohur gjatë fjalimit të presidentit. Deri më tani Shtëpia e Bardhë ka zbuluar vetëm një, Kate Cox, një grua nga Teksasi, e cila nuk mundi të abortonte në shtetin e saj, edhe pse shëndeti i saj ishte në rrezik dhe fetusi i saj kishte një sëmundje fatale.
Demokratët janë të etur për të demonstruar se si përmbysja e Roe kundër Wade nga Gjykata e Lartë e SHBA-së i ka kufizuar të drejtat riprodhuese.
SHIKONI EDHE: Brenda një muaji “43 klinika në SHBA i kanë pamundësuar abortet”Edhe ligjvënësit do të kenë të ftuarit e tyre. Johnson dhe dy përfaqësues të Nju Jorkut po sjellin oficerë policie, përleshja e të cilëve me emigrantët në Times Square, shkaktoi zhurmë politike mes republikanëve, të cilët e fajësuan Bidenin për sigurinë e lirshme kufitare. Republikani Elise Stefanik, një tjetër republikane e Nju Jorkut, ftoi një oficer të Patrullës Kufitare, i cili shërben gjithashtu si një zyrtar i sindikatës.
Deklarata të modës
Kamerat televizive do të lëvizin nëpër dhomë gjatë fjalimit, kështu që do të keni një pamje të qartë të të gjithëve në audiencë. Ky është një shans për ligjvënësit dhe të ftuarit që të dërgojnë një mesazh me veshjet e tyre.
Gratë demokrate mbanin veshje të bardhë, ngjyrën e lëvizjes së grave për të votuar, gjatë fjalimit të Trumpit në vitin 2019. Në vitin 2022, disa ligjvënës mbanin shirita blu dhe të verdhë për të treguar mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Potenciali për protestë
Ju mund të mendoni se gjithçka për fjalimin vjetor drejtuar kombit është e planifikuar, por nuk është kështu. Edhe në një mjedis të kontrolluar fort, është ende e mundur që dikush mund të organizojë një ndërprerje. Biden është vënë në hije në mbarë vendin nga protestat ndaj mbështetjes së tij për luftën e Izraelit në Gaza.
Aktivistët kanë planifikuar, gjithashtu, një demonstratë në Sheshin Lafayette pranë Shtëpisë së Bardhë para fjalimit.
Përveç kësaj, republikanët kanë fituar një reputacion për ndërprerjet. Përfaqësuesja Marjorie Taylor Greene e Gjeorgjisë dhe Lauren Boebert e Kolorados sulmuan Bidenin gjatë fjalimit drejtuar kombit më 2022. Më pas, në vitin 2023, disa republikanë reaguan ndaj Bidenit kur ai i akuzoi ata se po përpiqeshin të shkurtonin Sigurimet Sociale dhe Shëndetësore.
"Më pëlqen biseda", tha Biden ndërsa i kërkoi Kongresit të bashkohej pas mbrojtjes së programeve të rrjetit të sigurisë.
Johnson po përpiqet të zvogëlojë shpërthimet nga grupi i tij parlamentar. Ai inkurajoi republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve që të tregonin "dekor" gjatë fjalimit, sipas një personi të njohur me komentet e tij në një takim privat të mërkurën.
Protestat mund të vijnë edhe në forma të tjera. Pelosi grisi në mënyrë dramatike një kopje të fjalimit të Trump pas fjalimit, më 2020.
Reagimi i republikanëve
Pala kundërshtare tradicionalisht organizon përgjigjen e saj ndaj fjalimit. Këtë vit, republikanët zgjodhën senatoren Katie Britt nga Alabama. Në moshën 41-vjeçare, ajo është senatorja më e re grua dhe disa liderë partish shpresojnë se ajo mund të jetë një yll në rritje.
Por, çfarëdo që të thotë ajo, shumë do të presin të shohin përgjigjen e vetë Trumpit.
Në një postim në llogarinë e tij në Truth Social, Trump premtoi të jepte komente në kohë reale për fjalimin e Bidenit. Ndërsa Trump shkon drejt nominimit presidencial republikan, komentet e tij do të ndihmojnë ose jo në garën e zgjedhjeve.