Bullgaria kritikon Ramën mbi gjuhën e përdorur në samitin e BE-së

Në samitin e BE-së në Bruksel, Edi Rama tha se Bullgaria, ka marrë peng dy vende të NATO-s, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. 23 qershor 2022.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Bullgarisë ka publikuar të premten një deklaratë të ashpër kundër kryeministrit shqiptar Edi Rama pas deklaratave të këtij të funbdit, i cili tha se Bullgaria po mban peng Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, në lidhje me mos hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Në një deklaratë të gjatë, Ministria e Punëve të Jashtme bullgare kujtoi se ka qenë “gjithmonë ndër ato shtete anëtare të BE-së që mbështesin identitetin europian të popullit shqiptar”, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama për “komente të rënda dhe fyese”.

Më tej, në deklaratë thuhet se gjuha e përdorur nga kreu i qeverisë shqiptare, nuk mund të justifikohet, teksa shton se Rama duhet të flasë si një politikan i një vendi kandidat për në BE.

“Bullgaria gjithmonë ka qenë mes shteteve anëtare të BE-së që ka mbështetur integrimin e popullit shqiptar. Kemi mbrojtur perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe nisjen e bisedimeve, edhe kur ishte shumë më e vështirë se sa sot. Përgjatë viteve nuk ka pasur shumë zëra të tjerë krah nesh. Edhe sot, pavarësisht gjithçkaje, i qëndrojmë kësaj ideje, në emër të një të ardhmeje të përbashkët evropiane”, thuhet në një reagim zyrtar të Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë.

SHIKONI EDHE: Zhgënjimi i Ballkanit me BE-në

“Nuk është hera e parë që kemi dëgjuar ofendime të pamerituara nga kreu i një qeverie. Një gjuhë e tillë nuk mund të justifikohet. Presim që Kryeministri i Shqipërisë të moderojë gjuhën, duke e bërë të përshtatshme për politikanin e një vendi kandidat për në BE.

“Në këtë pikë, këmbëngulim që të ruajmë një ton të mirë komunikimi. Ne kemi të ardhme të përbashkët me Shqipërinë. Politikanët shkojnë e vijnë, kombet mbeten. Popujt tanë kanë një interes të përbashkët, që nuk duhet të minohet nga gjykimet e gabuara. Është e papranueshme që marrëdhëniet mes dy shteteve të mbeten peng e sjelljes së Kryeministrit të Shqipërisë”.

Kryeministri Edi Rama nuk ka vonuar të kundër-reagojë ndaj deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë, duke thënë se edhe ai ka një problem me Bullgarinë se si dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe. Ai ka thënë se Bullgaria ose duhet të heq veton, ose duhet ta durojë atë.

“Oh! Ministria e Jashtme e Bullgarisë ka problem me mënyrën time të të folurit. E drejtë. Edhe unë kam një problem me mënyrën se si Bullgaria dëshiron të zgjidhë çështjet dypalëshe duke përdorur procesin e zgjerimit si mjet për të marrë peng dy vende të NATO-s. Qetësohuni miq: Hiqni veton, ose më duroni!”, shkroi Rama në Twitter.

“Dhe meqë ra fjala, më lini t’iu kujtoj miq të vyer bullgar se u desh një telefonatë e shkurtër me Boyko Borissov për të zgjidhur në mënyrë miqësore dhe të ndershme çështjen e pakicës bullgare në Shqipëri. Miqtë e vërtetë nuk i bëjnë dëm njëri-tjetrit, por flasin sinqerisht dhe gjejnë fjalën e përbashkët”.

Pas zyrtarizimit të vendimit për të mos marrë një datë për negociatat, Rama tha se Bashkimi Europian është shndërruar në një realitet qesharak pasi shtetet më të fuqishme të botës kanë ngrirë për shkak të problemeve të një tjetër vendi.