Afganët e ikur nga Kabuli strehohen në Shqipëri

Grupi i parë i afganëve, të evakuuar nga vendi i tyre, ka mbërritur në Shqipëri.

Ata janë sjellë të premten në Tiranë, me avionin e një kompanie private ajrore egjiptiane.

Në Aeroportin e Rinasit kanë ardhur 121 persona, të nisur nga Kabuli.

Mes tyre janë aktivistë të shoqërisë civile, si dhe fëmijë e foshnja.

Afganët janë dërguar fillimisht në tenda ushtarake për t’i bërë testet mjekësore.

Pas regjistrimit të tyre, afganët do të vendosen nëpër hotele në Durrës.

Qeveria e Shqipërisë ka thënë se afganët mund të qëndrojnë të paktën një vit.

Sipas një vendimi të miratuar të mërkurën nga qeveria shqiptare, qytetarëve afganë do t’u ofrohet statusi i “mbrojtjes së përkohshme”.

Kryeministri Edi Rama ka thënë se Shqipëria mund t’i strehojë 4 mijë afganë.

Më vonë, afganët do të zhvendosen për strehim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në aeroport, për të pritur qytetarët afganë kishte dalë Ministrja e Jashtme shqiptare, Olta Xhaçka, dhe mbasadorja e Shteteve të Bashkuara, Yuri Kim.

“Siç ka bërë gjithmonë, populli shqiptar dhe një herë ofroi mikpritje dhe mbrojtje ndaj kujt ka nevojë më shumë. Jemi krenar t’ju quajmë miq dhe aleatë”, ka thënë ambasadorja Kim.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që ofroi strehim për afganët, pasi talibanët rimorën Afganistanin.

Grupe afganësh pritet të vijnë për strehim edhe në Kosovë gjatë ditëve të ardhshme.