Biden shfuqizon disa vendime të Trumpit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, nënshkroi disa urdhra ekzekutivë që zhbëjnë disa politika të paraardhësit të tij, Donald Trump.

Urdhri i parë i tillë e bën të detyrueshme veshjen e maskës nga punonjësit federalë, si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Me urdhrat e tjerë të nënshkruar nga Biden, mes tjerash, ndalohet ndërtimi i murit në kufirin e SHBA-së me Meksikën, hiqen ndalesat e udhëtimit nga disa vende kryesisht me shumicë myslimane, si dhe anulohet vendimi për tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën.

"Nuk ka kohë për të humbur kur bëhet fjalë për të trajtuar krizat me të cilat përballemi," shkroi ai në Twitter, kur u drejtua për në Shtëpinë e Bardhë pas inaugurimit të tij.

Pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë, Biden tha se paraardhësi i tij, Donald Trump i kishte lënë një letër shumë bujare.

"Meqenëse ishte private, nuk do të flas për këtë derisa të flas me të. Por, ishte letër bujare", tha Biden.

Your browser doesn’t support HTML5

Dita e Bidenit

Demokrati Joe Biden u inaugurua të mërkurën si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara. Kamala Harris po ashtu bëri betimin si nënpresidente.

Biden, 78 vjeç, është presidenti më i vjetër amerikan që merr detyrën.

Ai i ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, 2020, kundrejt republikanit, Donald Trump. Kongresi e ka miratuar fitoren e tij më 6 janar.

Trump nuk mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit.