Spanja do të krijojë regjistër të atyre që refuzojnë vaksinën

Një dozë e vaksinës mbajtur nga një punonjëse shëndetësore.

Spanja do të krijojë një regjistër me emrat e njerëzve që refuzojnë të vaksinohen kundër koronavirusit dhe do ta ndajnë atë me vendet tjera të Bashkimit Evropian, ka thënë ministri i Shëndetësisë në Spanjë.

Ministri, Salvador Illa, tha se lista nuk do të bëhet e qasshme për publikun ose për punëdhënësit.

Ai tha se mënyra më e mirë për të mposhtur virusin ishte "të vaksinojmë të gjithë - sa më shumë aq më mirë". Spanja ka qenë një nga vendet evropiane më të goditura nga pandemia.

Aktualisht ky vend është furnizuar me vaksinën Pfizer-BioNTech e cila u miratua për përdorim në vendet anëtare të BE-së javën e kaluar.

SHIKONI EDHE: Dita V: Evropa nis vaksinimin masiv

Në një intervistë me televizionin La Sexta të hënën, ministri Illa theksoi se vaksinimi nuk do të ishte i detyrueshëm.

"Ajo që do të bëhet është një regjistër, i cili do të ndahet me partnerët tanë evropianë ... të atyre njerëzve të cilëve u është ofruar dhe thjesht e kanë refuzuar atë", tha ai.

Sipas një sondazhi të fundit, numri i qytetarëve spanjollë që kanë thënë se nuk do të marrin vaksinën ka rënë në 28% nga 47% në nëntor. Illa tha se njerëzit do të kontaktohen nga autoritetet rajonale kur të jetë radha e tyre për t'u vaksinuar.

"Njerëzit që vendosin të mos vaksinohen, gjë që ne mendojmë se është një gabim, janë brenda të drejtave të tyre", u tha ai gazetarëve.

"Ne do të përpiqemi të zgjidhim dyshimet. Vaksinimi shpëton jetë, është rruga për të dalë nga kjo pandemi", shtoi ai.

Numri i njerëzve që kanë vdekur nga COVID-19 në Spanjë është mbi 50.000. Vendi ka regjistruar më shumë se 1.8 milion të infektuar gjatë pandemisë.