Serbët e Mitrovicës së Veriut protestojnë kundër tarifës në mallrat serbe

Pamja nga protesta e sotme në Mitrovicën e Veriut.

Në Mitrovicën e Veriut është mbajtur përsëri një protestë e serbëve kundër siç është thënë “tarifës jocivilizuese, persekutimeve politike, përpjekjes për rrëmbimin e Trepçës si dhe për shuarjen e të drejtave të serbëve të Kosovës”.

Pjesmarrësit kanë mbajtur flamujt e Serbisë, të Trepçës dhe mbishkrimet “Nuk e japim veriun dhe as Trepçën", "Serbia të na ndihmojë" dhe "Ndal akuzave të montuara”.

Serbët në veri të Kosovës janë duke protestuar vazhdimisht prej kur Qeveria e Kosovës ka vendosur taksën prej 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës. Ata kanë kundërshtuar edhe miratimin e statutit të kombinatit “Trepça” nga ana e Kuvendit të Kosovës.

Tanja Vujoviq, dekane e Fakultetit Ekonomik të të ashtuquajturit “Universiteti i Prishtinës në Mitrovicë”, të cilin institucionet e Kosovës e konsiderojnë si paralel, tha se “veprimet e shëmtuara” të Prishtinës e kanë detyruar atë të dalë në rrugë përkrah studentëve dhe popullit serb.

“Ne nuk pranojmë poshtërimin, shantazhin, taksat dhe ndalesat e pabazuara, dëbimin dhe arrestimin e anëtarëve të familjeve tona, qytetarëve dhe miqve”, tha Vujoviç, duke deklaruar se komuniteti ndërkombëtar po hesht ndaj kësaj situate.

Ndërkaq Ratomir Millojeviq, përfaqësues i punëtorëve të “Trepçës”, që udhëhiqet nga menaxhmenti serb, tha se ligjet e miratuara nga Prishtinë për këtë kombinat janë veprime një-etnike dhe se “nuk kemi të drejtë morale t’i pranojmë ato ligje”.

Ky menaxhment funksionon paralelisht me udhëhqësinë aktuale të kombinatit Trepça.

Sipas tij, këto akte kanë qëllime politike, duke theksuar se sipas tij qëllimi kryesor është “marrja e vendeve tona të punës dhe dëbimi i punëtorëve dhe popullit nga këto hapësira”.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiç, është shprehur se kurrë deri më tani banorët e asaj pjese nuk kanë qenë më të vendosur të qëndrojnë në këto hapësira për të “siguruar jetesën pastaj Trepçën si dhe gjitha potencialet ekonomike”.

Ai ka thënë se pas vendosjes së tarifës nga autoritetet në Prishtinë ka filluar siç është shprehur “montimi i proceseve gjyqësore”. Si shembull të kësaj ai ka përmendur rastin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq.

Prokuroria e Kosovës në janar të këtij viti ka lëshuar urdhër-arrest për Millan Radoiçiq, si një prej personave të dyshuar për rastin e vrasjes së politikanit serb në Mitrovicën e Veriut, Oliver Ivanoviq.

Vendimi për tarifën i Qeverisë së Kosovës ka nxitur dorëheqjen e katër kryetarëve të komunave serbe në veriun e Kosovës. Këto komuna tash e katër muaj janë pa udhëheqje.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq që të pajtohet me vendimin e tyre për të braktisur gjitha institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës si dhe ato të drejtësisë. Mirëpo në një takim mes përfaqësuesve serbë dhe presidentit Vuçiq në Beograd, ai iu thënë përfaqësuesve serbë të kenë durim edhe 45 ditë derisa të zhvillojë konsulta me faktorin ndërkombëtar.

Tarifa ka bllokuar edhe dialogun për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, pasi delegacioni serb ka anuluar pjesmarrjen në këto bisedime.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës ta pezullojë tarifën mirëpo kjo po kundërshtohet nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili kërkon njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë në këmbim të heqjes së tarifës.