Sulm “i paparë” kibernetik godet Ukrainën, prek edhe vende të tjera

Kiev

Kompani në gjithë globin raportuan të martën se janë goditur nga një sulm i madh kibernetik.

Firmat në Ukrainë, përfshirë kompaninë shtetërore të energjisë elektrike dhe aeroportin kryesor të Kievit, ishin ndër të parat që raportuan probleme.

Centrali bërthamor i Çernobilit është dashur të monitorojë manualisht nivelet e rrezatimit pasi sensorët në Windows kanë pushuar.

Kryeministri i Ukrainës, Volodymyr Hroysman, tha se vendi i tij po vuan nga një sulm “i paparë” kibernetik, por shtoi se “sistemet vitale” nuk janë prekur.

Sipas disa njoftimeve, sistemi i metrosë në Kiev ka ndaluar pranimin e kartave të pagesës, ndërsa disa stacione të furnizimit me karburante kanë pezulluar operacionet.

Probleme raportuan edhe disa kompani ndërkombëtare me bazë në Britani, Danimarkë, Norvegji, Francë, Rusi dhe Indi.

Kompania zvicerane e internetit MELANI tha se bëhet fjalë për virusin Petya, version i softuerit WannaCry.

WannaCry është një virus që ka prekur mbi 200,000 kompjuterë në rreth 150 vende të botës, në muajin maj. WannaCry u ka kërkuar përdoruesve të paguajnë qindra dollarë për të rikthyer qasjen në kompjuterët e tyre dhe për të mos i humbur të dhënat.