Një guvernator rajonal në veri të Greqisë ka kërkuar vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në kufi me Maqedoninë, për shkak të krizës me migrantë.
Apostolos Tzitzikostas, guvernator i rajonit të Maqedonisë Qendrore, ka thënë se numri i migrantëve të bllokuar në kufi ka arritur në së paku 13,000.
Tzitzikostas ka thënë se në gjithë rajonin e Maqedonisë Qendrore janë 20,000 migrantë.
“Nuk mund ta bartim më vetë këtë peshë”, ka thënë ai për transmetuesin grek Skai, derisa ka vizituar pikën kufitare me Maqedoninë Idomeni.
Gjendja e jashtëzakonshme do të lehtësonte furnizimin me ndihma, thonë mediat greke.
Tzitzikostas i ka bërë thirrje Maqedonisë që të hapë kufijtë e saj menjëherë.
Maqedonia lejon në territorin e saj vetëm sirianë dhe irakianë, ndonëse edhe ata duhet t’iu nënshtrohen kontrolleve të rrepta.
Më herët, komisionari për Migrim i Bashkimit Evropian, Dimitris Avromopoulos, ka thënë se Greqia është e mbingarkuar me migrantë dhe se e gjithë bota duhet të reagojë.
Së paku 2,000 migrantë të rinj regjistrohen në Greqi çdo ditë.
Mbi 125,000 njerëz kanë arritur këtë vit në brigjet greke – gati 12 herë më shumë se në tre muajt e parë të vitit 2015.