Ministria e Punëve të Brendshme Gordana Jankullovska nuk ka dashur të komentojë vendimin e Gjykatës së Maqedonisë e cila ka dënuar me burg të përjetshëm gjashtë personat e akuzuar për rastin Monstra, nën akuzën se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill të vitit 2012, afër liqenit të Smilkovcit, duke kërkuar nga mediat bëjnë presione dhe të mos komentojë punën e gjyqësorit.
“Puna e Ministrit të Brendshëm nuk nënkupton komentimin e vendimeve gjyqësore. Unë besoj se ju si përfaqësues të mediave gjithashtu do të përmbaheni nga presionet dhe komentet mbi punën e Gjykatës. Megjithatë Gjykata punon vetëm në bazë të provave dhe Ligjit”, është shprehur Jankullovska.
Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë së Maqedonisë Adnan Jashari nga radhët e BDI-së ka kërkuar maturi nga ana e qytetarëve, duke theksuar se vendimi ende nuk është i plotfuqishëm dhe i njëjti duhet të kalojë edhe në instancën e Gjykatës së Apelit, ku si pas tij edhe duhet të dëshmohet e vërteta.
"Si ministër i Drejtësisë, pres që gjatë procedurës gjyqësore në shkallë të dytë, të dëshmohet e vërteta. Gjithmonë do të jem në anën e së vërtetës dhe në korniza të autorizimeve të mia ligjore, do të kërkoj që me çdo kusht të respektohet e drejta”, tha Jashari.
Ai shtoi se sistemi gjyqësor në Maqedoni duhet të shtojnë kapacitet dhe të mos dënojnë qytetarë të pafajshëm në qoftë se nuk ekzistojnë prova të besueshme.
Por me këtë qëndrim nuk pajtohet partia shqiptare në opozitë, PDSH sipas së cilës në Maqedoni me vite mbeten të pandriçuara rastet kur si viktima paraqiten shqiptarët.
Deputeti i kësaj parie Orhan Ibrahimi, në faqen e tij në Facebook shkuan se partia shqiptare në pushtet BDI në vend se të mbrojë ajo “vazhdon t`i përbuzë, nënshtrojnë dhe t`i dënojnë shqiptarët".
“Kuadrot e BDI-së si Blerim Bexheti dhe Adnan Jashari qe udhëheqin me dikasterin e drejtësisë në vend të reformimit ata krijuan një 'sistem monstruoz', ku me procese të montuara policore ndjekin dhe i dënojnë shqipëtarët. Në fakt ky 'sistem monstruoz' na bën edhe ne që jemi jashtë grilave të ndjehemi njëjtë si ata brenda”, ka reaguar Ibrahimi.
Ndërkaq, ekspertët juridik pavarësisht qëndrimit të ministrit të drejtësisë shprehen skeptik se ky rast gjyqësor mund të marrë një epilog në favor të akuzuarve në instancat tjera më të larta gjyqësore.
“Më duhet të theksoj se ka mjete juridike për të shfrytëzuar pala mbrojtëse por pa dashur të prejudikoj , unë nuk jam aq optimist se do të gjendet ndonjë gjykatës në Gjykatën e Apelit i cili do të marrë vendim që këtë rast ta kthejë për rigjykim në Gjykatën e shkallës së parë ose në mënyrë meritore të marrë ndonjë vendim më të drejtë”, thekson Bekim Kadriu, ekspert juridik.
“Gjykata Evropiane nuk paraqitet si gjykatë më e lartë ndaj Gjykatave të Maqedonisë dhe nuk mund t'i ndërrojë vendime e gjykatave të vendit. Megjithatë nëse Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut sjell një vendim në favor të të akuzuarve, vetëm atëherë organet gjyqësore të Maqedonisë do të detyrohen të organizojë një rigjykim”, thekson Kadriu.
Edhe Lëvizja Qytetare Zgjohu përmes një reagimi me shkrim është shprehur se ndjehet e zhgënjyer nga shqiptimi i dënimit maksimal për gjashtë nga shtatë personat e akuzuar në rastin Monstra.
Lëvizja qytetare “Zgjohu”ka kërkuar të prezantohen dëshmitë mbi të cilat u dënuan 6 persona me burg të përjetshëm.
Zgjohu më pas kërkon ekspertizë ndërkombëtare për këtë gjykim të cilin e ka quajtur skandaloz njëherësh ka ftuar monitoruesit e OSBE që të prononcohen vendimi të gjykatës për rastin në fjalë.
Ndryshe dje Gjykata e Maqedonisë shpalli aktvendimin në bazë të cilit gjashtë persona nga gjithsej 7 të akuzuarit në rastin “Monstra”, Alil Demiri, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Haki Aziri dhe Sami Luta dënohen me burg të përjetshëm nën akuzën se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill të vitit 2012, afër liqenit të Smilkovcit duke I dënuar për veprën më të rëndë “terrorizëm”.