Vendimet e gjykatave trimërojnë djathtistët në Serbi

Protestat e organizatës "Obraz".

Organizatat djathtiste në Serbi me vite po ballafaqohen me procese gjyqësore në lidhje me funksionimin dhe ndalimin e tyre.

Tri apo katër organizata që paraqiten me emra të ndryshme si “Obraz”, “Nashi” e të tjera, njihen për qëndrimet e tyre nacionaliste e në disa raste të kualifikuara edhe si klero-fashiste.

Por, pavarësisht funksionimit të tyre dhe problemeve të vazhdueshme me ligjin, vetëm “Obraz” deri më tani, në qershor të këtij viti, ishte shpallur si organizatë e ndaluar.

Megjithatë, “Obraz” dhe lideri i saj Mlladen Obradoviq i dënuar me dhjetë muaj burgim, do të rikthehen në rigjykim.

Gjykata e apelit ka vendosur që të rikthej procesin. Zëdhënësja e Gjykatës së Apelit, Mirjana Pilliq thotë se disa nga provat e aktgjykimit të shkallës së parë nuk janë të bazuara andaj procesi kthehet në rigjykim.

“Në kompjuterin e të akuzuarit nuk janë gjetur gjurmë që tregojnë se përmes tij janë dërguar thirrje e kërcënime për ndërprerjen e dhunshme dhe në sulme mbi pjesëmarrësit e “paradës së krenarisë në vitin 2009”, thotë Pilliq, duke i referuar paradës “gay” që ishte pasuar me dhunë dhe trazira në Beograd.

Organizatat joqeveritare që përcjellin këtë proces gjykimi, mendojnë se vendimi mund të jetë i njëjti për këtë organizatë dhe liderin e saj, i cili sipas tyre, me rigjykimin në shkallën e dytë fitoi pak në kohë.

Të cilësuara si organizata djathtiste në Serbi, njihen për qëndrime të tyre nacionaliste, kundërshtojnë të drejtat e komunitetit “gay”, janë kundër autonomisë së Vojvodinës, kërcënojnë ata që mendojnë ndryshe kurse njëra prej tyre me emrin “Rreshtimi kombëtar” nga policia e Serbisë ishte cilësuar si grupim i tipit fashist.

Po ashtu, këto organizata kundërshtojnë integrimin evropian të Serbisë e aq më shumë kundërshtojnë një Serbi në NATO. Nëpër tubime të ndryshme ata nuk i kursejnë fyerjet për Aleancën Veri-atlantike.

Këto organizata madhështinë e Serbisë e portretizojnë me pankarta me fotografitë e Ratko Mlladiqit, njërit nga personalitetet më të kërkuara dhe tashmë të burgosura nga Tribunalii i Hagës për krime lufte.

I gjithë ky aktivitet, nuk ka mjaftuar që edhe organizata tjera si ajo “Nashi” të shpallen të ndaluara.

Një përfaqësues i kësaj organizate Igor Marinkoviq thotë se proceset ndaj organizatës së tij dhe atyre të ngjashme janë të motivuara politikisht.

Për dy vite ne kemi funksionuar nën represionin e plotë të policisë, gjykatës, por edhe të medieve”, thotë Marinkoviq, i cili tani beson se po krijohen kushtet që edhe organizata që përfaqëson do të mund të funksionoj normalisht.

Nisur nga mungesa e provave gjyqësore që organizata “Nashi” të shpallet e ndaluar, ai paralajmëron rigrupimin masiv të saj dhe nisjen e aktiviteteve e protestave nëpër Serbi.

Në anën tjetër, organizatat joqeveritare në Serbi kanë tërhequr vërejtjen për rritjen e grupimeve të tilla, duke i parë ato si një lloj kërcënimi për vet Serbinë.
Përgatiti: Zijadin Gashi