Tahiri: Strukturat në veri kanë një legjitimitet, por janë ilegale

Ramush Tahiri

Institucionet e Kosovës do të bisedojnë me përfaqësuesit e serbëve të veriut në cilësinë e përfaqësimit të popullatës së atjeshme dhe jo të komunave dhe institucioneve ilegale, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ramush Tahiri, këshilltari politik i presidentes Atifete Jahjaga.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Tahiri, ditëve të fundit ju keni lansuar disa ide në lidhje me fillimin e dialogut me serbët e veriut. Në çka konsiston konkretisht ideja e juaj në lidhje me vendosjen e kontakteve të institucioneve të Kosovës dhe serbëve të atjeshëm?



RAMUSH TAHIRI
Gjendja në katër komunat veriore është e paqëndrueshme dhe Kosova si shtet duhet ta shtrijë integritetin dhe sovranitetin në gjithë territorin dhe t’i shtrijë ingerencat pushtetërore.

Është thënë ideja, si nga presidentja ashtu edhe kryeministri, ministri i pushtetit lokal dhe të tjerët se institucionet e Kosovës do të dialogojnë me qytetarët, kushtimisht në veri të Kosovës, dhe do të gjejnë zgjidhjet që atje të shtrihet pushteti i Kosovës, të mbahen zgjedhjet me të cilat do të zgjidheshin përfaqësuesit legal dhe legjitim. Oferta e institucioneve është që atje të zbatohet Pakoja e Ahtisarit.

Nuk ka alternativë tjetër sepse qytetarët në veri janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe se ata duhet t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre me të cilët ne do të dialogojmë, sepse ne nuk mund të dialogojmë me gjithë atë masë njerëzish që janë rreth 40 mijë banorë.

RADIO EVROPA E LIRË
A nënkupton ky dialog edhe vendosjen e kontakteve me përfaqësuesit e strukturave që zakonisht janë cilësuar si ilegale të pushtetit paralel në veri?

RAMUSH TAHIRI
Atje i kemi strukturat ilegale dhe të jashtëligjshme. Unë nuk i quaj paralele, sepse ato janë të vetmet dhe që të jenë paralele duhet ta kenë edhe dikë tjetër që t’i krahasosh e ti quash si paralele. Por, qëndrimi zyrtar është se ato janë të jashtëligjshme dhe nuk punojnë me ligjet e Republikës së Kosovës.

Mirëpo, atë që e kam thënë dhe që qëndroj pas, është se ato e kanë legjitimitetin, sepse dikush i ka zgjedhur dhe ato përfaqësojnë interesat e qytetarëve atje, qytetarët e komunitetit serb, sepse ata i kryejnë shërbimet, edhe i votojnë, edhe funksionojnë kuvendet komunale e të gjitha. Tash mbetet çështje e përcaktimit se a do të jenë të njëjtit njerëz që do të zgjidhen nga popullata për të dialoguar me institucionet e Kosovës.

Po ashtu, ekziston mendimi se përderisa njerëzit që janë udhëheqës atje dhe nuk kanë ndonjë ngritje të aktakuzës dhe ndonjë padi ata i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe mund të dialogojmë edhe me ta si përfaqësues të qytetarëve serbë, por në asnjë rast nuk mund të dialogojmë me ta si kryetarë të komunave që po i quajmë të pushtetit të Serbisë, sepse ajo do të ishte legjitimim i një lloj paligjshmërie dhe jokushtetutshmërie atje.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni cituar në disa media se kontakte me përfaqësuesit e veriut ka pasur edhe presidentja. Sa janë të vërteta këto informacione?

RAMUSH TAHIRI
Kjo ka qenë në kontekst të një pyetjeje që nuk është nxjerrë në opinion dhe përgjigja ime ka qenë që jashtë syve të opinionit ne si institucione i mbajmë gjithmonë kontaktet me njerëz të caktuar, me qytetarë të caktuar dhe me struktura të caktuara. Nuk kam thënë që janë pushtetore. Ky është një obligim i yni. Ata janë qytetarë tanë dhe vijnë edhe këtu dhe i tregojnë hallet e tyre dhe çështjet e tyre.

Domethënë, nuk është problemi që unë t’i dekonspiroj kontaktet dhe t’i rrezikoj njerëzit me të cilët bisedojmë. Nuk është çështja që unë të shpiki diçka që nuk është. Mirëpo, edhe bashkësia ndërkombëtare kërkon dhe ne e dimë që kontaktet duhet të mbahen dhe ne mbajmë kontakte të vazhdueshme. Ekziston ajo që e kemi thënë që strukturat pushtetore të Serbisë, janë ilegale dhe duhet të shpërbëhen.

Por, në periudhën e shpërbërjes, flas në mënyrë profesionale, duhet të kemi një tranzicion që të mos kemi vakum dhe anarki dhe ne t’i shpallim zgjedhjet komunale në periudhën kur do t’i mbajmë në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës. Ne i kemi shpallë edhe më herët zgjedhjet atje, por kësaj radhe duam që zgjedhjet të jenë të suksesshme dhe qytetarët të marrin pjesë dhe ta dinë se për kë po votojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë zoti Tahiri, janë paralajmëruar edhe takime në nivele të larta politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe një nga temat boshte që përflitet se mund të jetë në tavolinën e bisedimeve është gjetja e një zgjidhje për veriun e Kosovës. Sa ka të përbashkët propozimi i juaj me nismat në dialogun Prishtinë – Beograd për gjetjen e zgjidhjes për komunat veriore?

RAMUSH TAHIRI
Institucionet e Kosovës, përfshi edhe presidenten, e kanë thënë që nuk bisedojnë për çështjet e brendshme të Kosovës me asnjë shtet e aq me pak me Serbinë, sepse me këtë do t’i humbej subjektiviteti dhe sovraniteti vendit dhe do t’i jepej e drejta dikujt që të involvohet në çështjet e brendshme tonat dhe në rregullimin e brendshëm. Ky është parim që e mbron secili shtet.

Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm se gjendja në pjesën veriore gjeografikisht të Kosovës nuk është e mirë dhe se ne nuk i kemi shtri pushtetin dhe ingerencat atje. Ne duhet të dialogojmë me qytetarët atje, por ne gjithashtu duhet ta kemi edhe përkrahjen e Serbisë. Përkrahja e Serbisë ka të bëj me largimin nga financimi dhe përkrahja ilegale që u jep strukturave ilegale. Besoj se ne do t’ia dalim sepse nuk ka zgjidhje tjetër për atë pjesë të territorit.

Po ashtu, e kemi thënë se zgjidhja e çështjes, thënë kushtimisht të veriut në dëm të interesave të popullit serb i cili është integruar këtu e që përbën një numër prej 100 mijë vetash, që jeton në pjesët tjera të Kosovës si Graçanicë, Shtërcë, Ranilluk, Kllokot e tjera, do të krijonte disbalanc dhe do të krijonte vlera të dyfishta sa u përket të drejtave nacionale të serbëve dhe do të nxiste shpërnguljen nga një rajon në tjetrin.

RADIO EVROPA E LIRË
Mirëpo, së fundit dëgjuam edhe propozimin e kryeministrit serb Ivica Daçiq, ndonëse u tha se ishte mendim i tij personal, se zgjidhja më e mirë për veriun do të ishte ndarja. Thjeshtë, a besoni që Prishtinë dhe Beogradi mund të merren vesh dhe gjejnë një zgjidhje për veriun Kosovës?

RAMUSH TAHIRI
Daçiq e përdorë me qëllim dhe thotë ndarja e Kosovës. Kurse ish-presidenti serb Tadiq e quan ndarje midis serbëve dhe shqiptarëve si popuj. Në asnjë variant nuk mund të vjen në konsideratë ndarja e Kosovës sepse asnjë shtet nuk mund të lejon që dikush t’ia shkëpusë një pjesë, madje edhe me dhunë. Aq më tepër që këtu e kemi edhe bashkësinë ndërkombëtare.

Nëse udhëheqja serbe dëshiron një rivendosje të kufirit dhe përcaktimin e kufirit etnik me ato korrigjime që bëhen gjeografike e gjeofizike të terrenit, atëherë duhet që këtë propozim ta paraqet. Një propozim të tillë zyrtarisht ne dhe as bashkësia ndërkombëtare nuk e kemi marrë asnjëherë, ani që ai është kryeministër dhe thotë që është mendimi i tij personal.

Nuk është çështja këtu se cili popull humb ose cili popull fiton. Mirëpo duhet të jetë e qartë që ndarja e Kosovës nënkupton edhe ndarjen e Serbisë. Ose për shembull rivendosja e kufirit nënkupton se kufiri në mes shqiptarëve dhe serbëve në vija etnike përcaktohet ta zëmë, sipas përqindjes, 51 për qind shqiptar ose 51 për qind serb. Ne nuk do të biem në politikanizmin e politikanëve serb dhe ne nuk frikohemi nga çfarëdo ideje që është në tavolinë sepse argumentet janë në anën tonë, por idetë nuk duhet të nxirren përmes medieve por në tavolinën e bisedimeve.