Veriu i painteresuar karshi heqjes së mbikëqyrjes

Mitrovicë (Foto nga arkivi)

Pavarësi e mbikëqyrur apo e plotë, për serbët e veriut të Kosovës kjo nuk ka shumë rëndësi. Ata thonë se nuk do ta pranojnë kurrë shtetin e Kosovës, duke besuar se i përkasin Serbisë.

Njëri nga liderët e serbëve të veriut, Millan Ivanoviq, thotë se marrë në përgjithësi, pavarësia e plotë paraqet një shqetësim shtesë për komunitetin serb.

Millan Ivanoviq

“Sigurisht, që t’u japësh një pavarësi të plotë këtyre institucioneve, serbët e kuptojnë këtë si sulm në mbijetesën e tyre në këtë hapësirë”, thotë Ivanoviq.

Megjithatë, Ivanoviq thotë, po ashtu, se heqja e mbikëqyrjes ka edhe një efekt pozitiv, pasi që, sipas tij, tani serbët e kanë një kundërshtar më pak, përkatësisht do të kenë për kundërshtar vetëm institucionet e Kosovës, por jo edhe mbikëqyrësit ndërkombëtarë.

Kurse Marko Jakshiq, po ashtu një politikan serb nga veriu, thotë se akti i heqjes së mbikëqyrjes është vetëm një akt i atyre vendeve që e kanë njohur Kosovën, pasi që serbët, Serbia dhe aleatët ndërkombëtar të saj nuk do të ndryshojnë mendje kur është fjala për refuzimin e shtetit të Kosovës.

“Ne jemi pjesë e shtetit të Serbisë. Respektojmë Kushtetutën e Serbisë dhe Rezolutën 12 44, e cila e thotë qartë se jo vetëm veriu, por e tërë Kosova është pjesë e Serbisë”, thekson Jakshiq.

Madje, sipas Jakshiqit, një ditë edhe shqiptarët do ta kuptojnë se Serbia është shteti i tyre dhe se ata nuk kanë shtet tjetër.

Edhe disa qytetarë të anketuar në veri të Mitrovicës, besojnë se pavarësia e plotë e Kosovës nuk do të ndryshojë asgjë në jetën e tyre.

Lubisha Zhivkoviq, një qytetar nga Mitrovica, thotë se mund të jetë më keq për serbët që jetojnë poshtë urës së lumit Ibër, kurse në veri, sipas tij, edhe ashtu nuk hetohet shteti i Kosovës.

Ngjashëm me politikanët serb të kësaj pjese, edhe ai beson se pavarësia e Kosovës nuk do të mbijetojë kohë të gjatë.

“Shpresojmë dhe jemi të sigurt që Kosova nuk do të jetë kohë të gjatë e pavarur dhe sërish do të jetë Serbi. Nëse jo unë dhe fëmijët e mi, këtë ditë do ta presin fëmijët e fëmijëve të mi”, shprehet ky qytetar me emrin Lubizha Zhivkoviq.

Ndërkaq, një tjetër banor i Mitrovicës, Radenko Nikolliq, thotë se për të, pavarësia e Kosovës është njësoj, si e plotë, si e mbikëqyrur.

“Ne nuk e pranojmë këtë shtet, jetojmë sikur të ishim në Serbi dhe i dëgjojmë vetëm institucionet e Serbisë”, thotë Radenko Nikolliq.

Megjithatë, edhe ai është i bindur se gjërat nuk janë mirë, sidomos në rrafshin e sundimit të rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Kurse, zgjidhja më e mirë, për të është ndarja e veriut nga Kosova.

“Duhet të pranohet e drejta e veriut që të bëhet pjesë e Serbisë dhe të mos ketë më lidhje me ‘kuazi’ shtetin e Kosovës”, thotë ky banor, me emrin Radenko Nikolliq.

Përderisa problemet politike në veri vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes, ka banorë që i shqetëson më shumë gjendja e rëndë ekonomike dhe shqyrtojnë mundësinë e largimit të tyre për në ndonjë vend ku mund të gjejnë punë.

“Më duhet të largohem edhe unë nëse kështu vazhdon edhe këtë vit. Nuk mund të vazhdoj më gjatë kështu. Çka shoh unë këtu, asgjë”, shprehet ky banor me emrin Lubomir Vasiq.

Ndryshe, serbët e veriut të Kosovës që nga mbarimi i luftës e këndej, kanë jetuar me ligjet e Serbisë dhe, në njëfarë forme, të ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Qeveria e Kosovës, thotë se ka një plan për integrimin e kësaj pjese, përderisa përfaqësuesit lokalë serbë atje, thonë se nuk do të pranojnë asnjë ofertë që mund të vijë nga Prishtina.

Për integrimin e veriut dhe gjetjen e një zgjidhjeje, kanë alarmuar tashmë edhe diplomatë ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë nga autoritetet e Prishtinës dhe Beogradit të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të gjitha palët.