Kosovës i hiqet mbikëqyrja

Festa e 17 shkurtit 2008

Grupi Drejtues Ndërkombëtar mban sot takimin në të cilin pritet t’i japë fund mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

Ky grup, përbëhet nga 23 shtete evropiane, Shtetet e Bashkuara dhe Turqia. Të gjitha vendet anëtare të GND-së e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Vendimi do të pasojë një konferencë për gazetarë të kryeminstrit të Kosovës dhe të Përfaqësuesit Civil Ndërkombëtar, Piter Faith, i cili, me ditën e sotme mbaron misionin në këtë post, si dhe në krye të Zyrës Civile Ndërkrmbëtare (ICO), e cila gjithashtu do të shuhet.

Por, megjithëse i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, në Kosovë do të vazhdojë prania ushtarake e misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR-it) si dhe misioni i EULEX-it, mandati i të cilit është shtyrë në javën e kaluar me një vendim të Kuvendit të Kosovës, në seancën, në të cilën janë miratuar ndryshimet kushtetuese, që mundësojnë heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Kuvendi i Kosovës, mban ndërkohë, një seancë solmene për shpalljen e përfundimit të mbikëyrjes së pavarësisë, ndërkohë, që ndër personaliteet e larta që do ta vizitojnë vendin, do të jetë ish presidenti finlandez, Marti Ahtisari.

Si i dërguar i OKB-së për statusin, Ahtisari hartoi Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, në vitin 2007.

Në bazë të këtij plani u shpall pavarësia më 17 shkurt të 2008-ës, ndërkaq, Grupi Drejtues Ndërkombëtar deri sot ka mbikëqyrur zbatimin e tij.

Zyrtarët e lartë vendës dhe ndërkombëtarë kanë vlerësuar se 10 shtatori, kur i jepet fund mbikëqyrjes, është një ditë jashtëzakonisht e rëndësishme për Kosovën.

Megjithatë, analistët pohojnë se sfida të mëdha mbeten përpara- ato politike që përfshojnë raportet me Serbinë, e cila nuk e njeh ende Kosovën, si dhe kontrollon pjesën veriore të banuar me shumicë serbe, si dhe ekonomike- per shkak të shkallës së lartë të varfërisë dhe papunësisë në vend. (a.i.)