Miratohet fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë

Kuvendi i Kosovës - foto nga arkivi

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar marrëveshjen me Bashkimin Evropian për mandatin e EULEX-it deri në qershor të vitit 2014. Ndërkohë që ka aprovuar edhe ndryshimet kushtetuese me të cilat përmbyllet faza e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Kryetari i Komisionit për ndryshimet Kushtetuese, Arsim Bajrami e cilësoi këtë si një ditë historike për Kosovën, që koincidon edhe me 22 vjetorin e nxjerrjes së Kushtetutës së Kaçanikut e cila përcaktonte qysh në atë kohë, Kosovën si shtet të pavarur e sovran.

Pa dyshim që 7 shtatori është një moment historik për Kosovën. Një proces i filluar para 22 vjetësh me miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, kurse sot po përmbyllet me fitimin e pavarësisë së plotë për Republikën e Kosovës. Ky është një moment falënderimi për të gjithë ata që kontribuuan që Kosova sot të jetë shtet i pavarur e sovran dhe pa mbikëqyrje ndërkombëtare”, është shprehur Bajrami.

Ashtu siç edhe ishte paralajmëruar, ndryshimet kushtetuese, por edhe vazhdimin e mandatit të EULEX-it e kanë mbështetur edhe dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri tha se problemet e shumta me të cilat ballafaqohet Kosova e zbehin këtë ditë. Andaj, ai tha se LDK do t’i mbështesë si ndryshimet kushtetuese ashtu edhe mandatin e EULEX-it, por rikujtoi qeverinë se nuk ka vend për festë.

LDK-ja është e vetëdijshme se Kosova ka probleme të mëdha, siç janë korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit, varfëria, mos-zhvillimi ekonomik dhe mbi të gjithat, mos-ushtrimi i sovranitetit në gjithë territorin e vendit, veçmas problemi i veriut si dhe probleme tjera. Andaj, nuk ka vend për festime të mëdha dhe festën duhet ta shndërrojmë në punë, përgjegjshmëri e veçmas qeveria e Kosovës në ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit”, ka thënë Beqiri.

Subjekti i vetëm parlamentar që ka qenë kundër vazhdimit të mandatit të EULEX-it në formën se siç kanë vepruar institucionet e Kosovës ishte lëvizja Vetëvendosje.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie politike, Visar Ymeri tha se me këto ndryshime kushtetuese nuk po përmbyllet mbikëqyrja, por po fillon një fazë e re e saj.

Në disa amendamente që po i votoni sot, ka sforcim të këqijave që kanë qenë deri më tani në Kushtetutën e Kosovës. Nëse dikur pyet a po e heqim Piter Fejthin (Shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare), po e heqim Fejthin, por nëse dikush pyet a po e heqim mbikëqyrjen ndërkombëtare, në disa aspekte ne po e forcojmë atë”, theksoi Ymeri.

Procedura e miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ratifikimi i marrëveshjes më Bashkimin Evropian për mandatin e EULEX-it kanë kaluar përmes votimit me mbi dy të tretat e votave të deputetëve.

Ndryshimet kushtetuese me të cilët i jepet fund mbikëqyrjes ndërkombëtare morën 98 vota për, 10 kundër dhe 1 abstenim. Për këto ndryshime pro kanë votuar edhe 22 deputetë nga radhët e komuniteteve pakicë.

Kurse Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, mori mbështetjen e 97 deputetëve, ndërsa 11 ishin kundër.

Heqja e mbikëqyrjes ndërkombëtare ishte një vendim edhe i Grupit Drejtues Ndërkombëtar në përbërje, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia, i cili kishte konstatuar paraprakisht se Kosova ka përmbushur obligimet kryesore që i kishte me zbatimin e Planit të Ahtisarit- që njihet edhe si marrëveshja për statusin e Kosovës.

Kurse mandati shtesë i EULEX-it edhe për dy vite të tjera ishte rezultat i disa marrëveshjeve që qeveria dhe presidentja e Kosovës i kanë arritur me Brukselin, përkatësisht me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Ketrin Eshton.