Topi: Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës i paprekshëm

Atifete Jahjaga dhe Bamir Topi, Prishtinë, 29 qershor 2012.

Shqipëria mbështet integritetin, sovranitetin dhe aspiratat e Kosovës për të qenë pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, deklaroi të premten në Prishtinë presidenti i Shqipërisë Bamir Topi.

Këto komente Topi i bëri gjatë një fjalimi që mbajti para Kuvendit të Kosovës.

Paraprakisht ai është pritur me nderimet më të larta shtetërore nga presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga.

Me këtë rast, Jahjaga tha se Kosova dhe Shqipëria janë faktorë paqeje e stabiliteti në rajon, ndërsa e falënderoi kreun e shtetit shqiptar për mbështetjen e vazhdueshme për lobim dhe njohje të reja për Kosovën.

Dy shtetet tona sovrane kanë një qëllim të përbashkët në rrugën tonë drejt integrimeve euroatlantike. Kosova dhe Shqipëria angazhohen për paqen, stabilitetin dhe mirëqenien në rajonit dhe mbarë botën”, u shpreh Jahjaga.

Pas takimit me presidenten e Kosovës, presidenti Bamir Topi tha se ndihej shumë i nderuar që po e përmbyllte mandatin e tij si presidenti i Shqipërisë me vizitën në Kosovë.

Kreu i shtetit shqiptar tha se zhvillimi dhe përparimet e bëra në Kosovë i kanë hequr tashmë paragjykimet që ishin më herët për të.

Për nder të tij, Kuvendi organizoi edhe një seancë solemne, së cilës Topi i është drejtuar me një fjalim rasti.

Ju jeni shembulli më i mirë për t’i dëshmuar botës demokratike se si një vend i vogël, por me forcë të madhe morale ia arriti që brenda vetëm një dekade të ndahet nga dhimbjet e së kaluarës dhe ta transformojë zonën e luftës dhe gjenocidit serb në një shoqëri të paqes, harmonisë, demokracisë dhe vlerave evropiane. Kosova është shembull i forcës për ndryshim, i fitores së të mirës ndaj së keqes, i vendosjes së drejtësisë historike”, theksoi Topi para deputetëve të Kosovës.

Presidenti Bamir Topi tha se Shqipëria do t’i mbështesë aspiratat e Kosovës për integrime euroatlantike dhe përmbushjen e kritereve evropiane për udhëtim pa viza nëpër vendet e BE-së.

Ndërkaq, nga aspekti i zhvillimeve në rajon, Topi tha se e mbështet dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duke e kuptuar atë si një dialog ndërmjet dy shteteve të barabarta që respekton plotësisht integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës.
Shqipëria vlerëson se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm...

Ne mbështesim vullnetin e palëkundur të Kosovës për dialog të barabartë dhe intensiv me të gjitha vendet fqinje, përfshirë edhe Serbinë, duke e vlerësuar atë si investim pozitiv dhe në interes të vendeve e popujve të përfshira në këtë proces. Shqipëria vlerëson se integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës janë të paprekshëm. Në vijimësi mbështesim përpjekjet tuaja për shtrirjen e plotë të autoritetit zyrtar në çdo pjesë të territorit të Kosovës”, ka thënë Topi.

Marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë më shumë sesa miqësore - ato janë vëllazërore”, u shpreh Topi, i cili deputetëve në disa raste u është drejtuar me vëllezër dhe motra.

Gjatë kësaj vizite dyditëshe, Topi u takua të premten edhe zyrtarë tjerë të Qeverisë, liderin e opozitës, Isa Mustafën, si dhe bëri homazhe te varri i presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

Të shtunën, Topi do të bëjë homazhe te kompleksi Memorial në Prekaz dhe ai në Gllogjan.

Para largimit, presidenti Topi do të vizitojë edhe qytetin e Gjakovës.