Thaçi: Presim vlerësim pozitiv dhe fundin e mbikëqyrjes

Hashim Thaçi

Kosova pret që Grupi Ndërkombëtar Drejtues të vendosë datën e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë, deklaroi të mërkurën kryeministri Hashim Thaçi.

Komentet e tij, Thaçi i bëri në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, në prag të takimit të radhës së Grupit Ndërkombëtar Drejtues që do të mbahet më 2 korrik në Vjenë.

Pritjet e institucioneve të Kosovës janë që data e përmbylljes së mbikëqyrjes ndërkombëtare do të jetë 15 shtatori i këtij viti.

Kryeministri i Kosovës u shpreh i bindur se vlerësimi ndërkombëtar për Kosovën do të jetë pozitiv. Një konkluzion i tillë, sipas tij, mbështetet në punën e institucioneve të Kosovës për zbatimin e plotë të Planit të Presidentit Ahtisari, si një dokument gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës i mbështetur nga bota demokratike dhe institucionet e Kosovës.

“Jemi të bindur plotësisht se opinioni, vlerësimi, ndërkombëtar do të jetë shumë pozitiv për Kosovën dhe ky vlerësim bazohet në suksesin e përbashkët të të gjitha institucioneve të Republikës, para së gjithash të Qeverisë, Kuvendit, Presidencës dhe autoriteteve lokale duke u bazuar në zbatimin e plotë të Pakos së Ahtisarit si bazë për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur e sovran”, theksoi Thaçi.

Kryeministri Thaçi tha, po ashtu, se institucionet e vendit i pret një punë e madhe edhe gjatë verës në mënyrë që të përmbushen edhe detyrat dhe obligimet që kanë mbetur pa u plotësuar nga zbatimi i Pakos së presidentit Ahtisari.

“Ky proces po fillon së përmbylluri me 91 njohje për Republikën e Kosovës, me Kosovën pjesë të Bankës Botërore dhe FMN-së. Natyrisht që do të kemi punë edhe gjatë tërë verës në mënyrë që të përmbyllet së implementuari e tërë Pakoja e Ahtisarit dhe pastaj më 10 dhe 11 shtator të merret vendimi përfundimtar. Po ashtu, do të vazhdohet edhe me kapitullin e integrimit të Kosovës në strukturat e NATO-s dhe BE-së”, tha në vijim Thaçi.

Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ishte një vendim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian që e njohën shtetin e Kosovës dhe Turqisë, për të parë nga afër zbatimin e obligimeve që kishte marrë Kosova me Pakon e Ahtisarit për respektimin e komuniteteve pakicë, sidomos komunitetit serb.

Njëherësh, kjo fazë, ishte menduar se do ta ndihmonte Kosovën në rrumbullakimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare dhe afirmimit të shtetit më të ri evropian.

Përmbyllja e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare do të sjellë si rezultat mbylljen e Zyrës Civile Ndërkombëtare, si dhe kalimin e kompetencave e përgjegjësive të saj tek institucionet e Kosovës.