Miratohen ligjet për përfundimin e mbikëqyrjes

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten në parim ndryshimin dhe plotësimin e 21 ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Ndryshimet dhe plotësimet në këto 21 ligje janë aprovuar përmes një projektligji të vetëm, i cili pritet të fuqizohet në pjesën e dytë të shtatorit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë burimin e ka në planin e presidentit Ahtisari.

Vet shpallja e pavarësisë ishte një akti i koordinuar i Kosovës me shtetet mike të perëndimore, andaj edhe përmbyllja e fazës mbikëqyrëse u tha se është një vendim i përbashkët i miratuar edhe nga Grupi Mbikëqyrës Ndërkombëtar ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën dhe Turqia.

Në vijim, Kuçi ka numëruar të 21 ligjet që duhet ndryshuar në mënyrë që kompetencat e deritashme që kishte shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, t’u kalohen institucioneve të Kosovës.

Ai është zotuar se qeveria dhe institucionet vendase janë të gatshme për përgjegjësi të plota.

Qeveria e Kosovës synon që me përkushtim të saj të plotë do të punojë në drejtim të arritjes sa më të shpejtë dhe të suksesshme të realizimit të këtij synimi, i cili është synim po ashtu nacional, në veçanti me kalimin me kohë të gjitha amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit tjetër të nevojshëm për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Kuçi.

Miratimi i ndryshim-plotësimit të ligjeve për përfundimin e fazës mbikëqyrëse të pavarësisë është mbështetur nga shumica e grupeve parlamentare, përderisa Lëvizja Vetëvendosje kishte shumë vërejtje.

Deputeti i kësaj partie, Visar Ymeri tha se mënyra se si po procedohet ndryshimi i ligjeve për përfundimin e fazës së mbikëqyrjes është jashtë praktikave parlamentare, pasi që me një ligj, grumbullohen ndryshime në 21 ligje të fushave të ndryshme.

Ai tha se mbikëqyrja në këtë rast po shfrytëzohet nga kryeministri i Kosovës, për marrjen e fuqive shtesë dhe margjinalizimin e rolit dhe funksionit të Kuvendit.

Për çka po përdoret kjo përmbyllje e mbikëqyrjes?! – Njëri prej efekteve që shihet nga lartë është tendenca për ta përjashtuar Kuvendin nga disa aspekte të vendimmarrjes për t’i përqendruar këto në duart e qeverisë, përkatësisht kryeministrit. Kështu përmbyllja e mbikëqyrjes po shtron rrugën për pavarësim të mbikëqyrësit, i cili me këto ndryshime po bëhet kryeministri”, ka vlerësuar Ymeri.

Ndërkohë, dy partitë tjera opozitare LDK dhe AAK kanë mbështetur ndryshimet e ligjeve për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare.

Megjithatë, deputeti i LDK-së, Sabri Hamiti ka ngritur edhe disa shqetësime në lidhje me mandatin shtesë të EULEX-it, i cili është mision i pavarur nga Plani i Ahtisarit.

Ai tha se pavarësisht mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, mbikëqyrja do të vazhdojë, por në formën tjetër.

Qysh hiqet mbikëqyrja e pavarësisë nëse ne, dihet që pas disa ditëve do të marrim vendim këtu në Kuvend që t’i jepet një mandat i ri EULEX-it në Kosovë. Nuk është mirë që ne, Kuvendi, ta bëjmë të padijshmin, sepse nëse i jepet një mandat i dytë EUELX-it, e që do t’i jepet, atëherë mbikëqyrja e pavarësisë vazhdon funksionalisht”, ka thënë Hamiti.

Sidoqoftë, votimi solli si rezultat 78 vota për, 10 kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi pritet që në kuadër të komisioneve t’i shqyrtojë disa nga vërejtjet e deputetëve para se t’i miratojë këto ndryshime në lexim të dytë.

Ndryshimi i ligjeve për bartjen e përgjegjësive nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendore është bërë 10 ditë para takimit të radhës së Grupit Mbikëqyrës Ndërkombëtar që pritet të mbahet në Vjenë, kur besohet se do të caktohet edhe data përfundimtare e shuarjes së Zyrës Civile Ndërkombëtare, si organ që mbikëqyr të arriturat e Kosovës në zbatimin e planit të Ahtisarit.

Data e shuarjes së Zyrës Civile Ndërkombëtare është paralajmëruar për datën 15 shtator, kur edhe zyrtarisht do të përfundonte faza e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.