Nota për arritjet e Kosovës

Flamuri i Kosovës

Një delegacion prej 20 anëtarëve i Komisionit Evropian po qëndron në Prishtinë për t’u njoftuar nga afër me përparimet dhe sfidat e Kosovës në procesin e përmbushjes së kritereve në kuadër të procesit të studimit të fizibilitetit.

Kryesuesi i këtij delegacioni, Laurenc Meridit, shef i njësisë për Kosovën në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, tha se ekspertët e Komisionit Evropian do t’i studiojnë në detaje përgjigjet që i kanë dhënë institucionet e Kosovës në pyetësorin e studimit të fizibilitetit.

Pas takimit që ky delegacion, i shoqëruar edhe nga Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhborar, zhvilluan me ministren e Integrimeve, Vlora Çitaku, Meridit tha se Komisioni Evropian do të fokusohet sidomos në plotësimin e kritereve politike, ekonomike dhe ato të sundimit të ligjit.

Ne kemi nënvizuar pesë fusha, tregtinë, administratën publike, reformat zgjedhore, sundimin e ligjit dhe integrimin e minoriteteve”, tha me këtë rast Meridit. Sipas tij, gjendja në këto pesë fusha tregon së ku qëndron aktualisht Kosova.

Të gjitha këto kritere lidhen me studimin e fizibilitetit i cili është hap i parë për marrëveshjen e stabilizim asociimit që është kusht për integrimin e vendeve në Bashkimin Evropian, ka thënë Laurenc Meridit.

Ndërkaq, Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar tha se reformat e kërkuara janë të rëndësishme për Kosovën sepse ato do ta afrojnë atë drejt integrimit në BE.

Hapja e perspektivës për liberalizim të vizave dhe integrim evropian, sipas tij, po dëshmojë se Kosovën e duan brenda BE-së edhe vendet anëtare që nuk e kanë njohur atë si shtet.

Pavarësisht se çfarë ne besojmë dhe çfarë besojnë vendet e ndryshme anëtare për statusin e Kosovës, të 27 shtetet anëtare kemi një qëllim, që ta shtyjmë Kosovën përpara në procesin integrues”, ka thënë Zhbogar.

Në anën tjetër, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, tha se Kosova është e gatshme t’i plotësojë kriteret e kërkuara evropiane.

Më 28 shkurt, Këshilli i Ministrave pati vendosur lansimin e studimit të fizibilitetit për Kosovën dhe në bazë të këtij vendimi, më 8 qershor Qeveria e Kosovës i pati dorëzuar Brukselit përgjigjet në 440 pyetjet e parashtruara.

Çitaku tha se Kosova nuk u frikësohet kritereve shtesë, pasi që ato vetëm sa e ndihmojnë atë që të jetë më afër Bashkimit Evropian.

Kosova nuk frikësohet nga numri i madh i kritereve, sepse përmes përmbushjes së tyre ne do të përgatitemi edhe më shumë për procesin e integrimit evropian. Ajo çfarë është e rëndësishme për ne është metodologjia, dhe metodologjia është e vendeve të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Çitaku.

Delegacioni prej 20 anëtarëve i Komisionit Evropian përbëhet nga ekspertë të fushave të ndryshme dhe pritet të qëndrojë në Kosovë një javë për të vlerësuar saktësinë e përgjigjeve që institucionet e Kosovës i kanë dhënë në pyetësorin e Brukselit.

Po në kuadër të proceseve integruese, më 14 qershor, Brukseli ia dorëzoi Qeverisë së Kosovës edhe udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

Ky dokument paraqet një listë gjithëpërfshirëse reformash që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes, ri-integrimin dhe ri-pranimin, sigurinë e dokumenteve, menaxhimin e kufirit dhe migrimin, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të drejtat themelore.

Përfundimet e dialogut për vizat, sipas BE-së, do të varen nga progresi i Qeverisë së Kosovës në plotësimin e këtyre kërkesave.