Zgjedhjet serbe në Kosovë - pa probleme të mëdha

Zgjedhjet serbe në Kosovë

Votimi për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, të dielën ka vazhduar edhe pas orës njëzet për qytetarët që po prisnin në radhë për të votuar.

Të nëntëdhjetë vendvotimet në 28 lokacione janë hapur në orën 8:15 të mëngjesit.

Zëdhënësi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë me mision në Kosovë, Nikolla Goan i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ka pasur informacione se njerëzit në disa raste janë ankuar për shkak se emrat e tyre nuk kanë qenë në listat e votimeve.

Por, sipas tij, kjo ka qenë përgjegjësi e Komisionit Zgjedhor të Republikës së Serbisë.

Lidhur me këtë çështje, ne nuk kemi mundur të bëjmë më shumë, sepse të gjitha materialet për votim të cilat i përdorim kanë ardhur nga Komisioni Zgjedhor i Republikës së Serbisë”, tha Goan.

Votimi mësohet se ka rrjedhur normalisht edhe në veri të Kosovës, përkatësisht në 13 lokacione atje.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë theksuar se pjesëtarët e kësaj policie kanë qenë të pranishëm në çdo lokacion.

Në orët e pasdites në veri të Kosovës janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por policia nuk ka arritur të lokalizojë vendin se prej nga është shtënë dhe të identifikojë personat e mundshëm të dyshimtë, raportojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i kësaj policie për rajonin e Mitrovicës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se patrullat e Policisë së Kosovës kanë qenë në terren, për të parandaluar çfarëdo incidenti.

Është e vërtetë dhe mund ta konfirmoj se janë dëgjuar disa të shtëna, të cilat nuk kanë ndikuar absolutisht në situatën e sigurisë. Kemi dërguar të gjitha njësitë patrulluese në kërkim të lokacionit të mundshëm prej nga janë dëgjuar këto të shtëna, mirëpo nuk kemi arritur që ta identifikojmë lokacionin”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, të shtënat kanë qenë në ajër dhe policia nuk ka evidentuar kudo qoftë që të jenë shkaktuar dëme materiale apo viktima në njerëz.

Gjithashtu, ai ka thënë se në polici nuk kishte asnjë ankesë lidhur me këto të shtëna.

Të shtëna sporadike në veri të Kosovës janë dëgjuar derisa serbët lokalë po kremtonin të ashtuquajturën “Festa e Shën Gjergjit”.

Ndryshe, zgjedhjet serbe në veri të Kosovës kanë kaluar të qeta.

Por, Kërstimir Pantiq, kryetari paralel i Mitrovicës ka thënë se janë vërejtur disa probleme me listat zgjedhore, dhe ka kritikuar OSBE-në për, siç ka thënë ai, organizim jo të mirë të zgjedhjeve.

Është fakt se një numër i madh i qytetarëve nuk janë përfshirë në listat e votuesve dhe se ka mjaft probleme”, ka thënë Pantiq.

Në anën tjetër, pavarësisht kundërshtimeve të institucioneve të Prishtinës, atyre ndërkombëtare dhe vërejtjeve të Beogradit, në Zveçan dhe Zubin Potok, u mbajtën edhe zgjedhjet lokale serbe.

Por, ato u mbajtën në ambiente larg atyre ku mbaheshin zgjedhjet e organizuara nga OSBE-ja.

Millan Ivanoviq nga Këshilli Kombëtar Serb, e ka quajtur fitore të serbëve mbajtjen e zgjedhjeve lokale në dy komunat në veri të Kosovës, për shkak se, sipas tij, ato janë mbajtur në në kuadër të sistemit kushtetues të Serbisë dhe sipas ligjeve zgjedhore të Serbisë.

Ai e vlerësoi si të lartë pjesëmarrjen në votime të qytetarëve për zgjedhjet lokale.

Pjesëmarrja në votimet për zgjedhjet lokale në Zveçan dhe Zubin Potok është shumë e mirë, kështu që sigurisht që në Zubin Potok kjo do të jetë mbi 60 për qind , ndërkaq, në Zveçan me siguri se do të jetë mbi 50 për qind. Është e dukshme që populli nuk e ka dëgjuar pushtetin”, tha Ivanoviq.

Ndryshe, Policia e Kosovës pati paralajmëruar se ka plan të detajuar për parandalimin e zgjedhjeve lokale të Serbisë, në Zubin Potok dhe Zveçan.

Por, zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se kanë qenë dy opsione lidhur me faktin se si do t’i qaseshin çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve lokale në dy komunat në veri të Kosovës.

Njëra ka qenë reagimi për t’i ndaluar ato, dhe mundësia e dytë ka qenë që ato të injorohen.

Është e dukshme që Policia e Kosovës zgjodhi opsionin e dytë.

Sido që të jetë, për mbikëqyrjen e zgjedhjeve serbe presidenciale dhe parlamentare në Kosovë kanë qenë të angazhuar rreth 500 shërbyes të OSBE-së, të cilët kanë përcjellë votimin qytetarëve serbë, 109 mijë prej të cilëve kanë qenë me të drejtë vote.