Zgjidhja për veriun në dialog politik

Anders fog Rasmusen

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, të cilët kanë përfunduar të premten takimin e tyre dyditësh në Bruksel, kanë vendosur që për momentin të mos ketë reduktim të numrit të ushtarëve të KFOR-it në Kosovë dhe të mbahet niveli i tashëm i forcave.

Kjo ka qenë porosia e qartë pas takimit dyditësh të ministrave të NATO-s dhe e ka konfirmuar edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders fog Rasmusen, duke folur para gazetarëve pas këtij takimi.

“Ne do të vazhdojmë të mbajmë praninë tonë në nivelin e tashëm. Deri te zvogëlimi eventual mund të vijë vetëm kur të piqen kushtet dhe kur situata ta bëjë të mundshëm një zvogëlim të tillë”, ka thënë Rasmusen.

Duke përcjellë përshtypjet e takimit të ministrave, Rasmusen ka thënë se situata në pjesën më të madhe të Kosovës është stabile, por fragjile dhe ka kufizime të lirisë së lëvizjes, kështu që duhet të punohet që të sigurohet lëvizja e papenguar e të gjithëve në tërë territorin e Kosovës.

Në këtë moment, KFOR-i ka në Kosovë 5790 pjesëtarë, prej të cilëve më së shumti ka Gjermania 1400, dhe SHBA me 763, ndërsa Austria, ndonëse nuk është vend anëtar i NATO-s, kontribuon me një numër të madh ushtarësh, pra 617 gjithsej.

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, po ashtu, kanë bërë të qartë se situata në veri të Kosovës kërkon një zgjidhje politike, sepse nuk mund të zgjidhet vetëm me çështje ushtarake. Këtë e ka thënë edhe Rasmusen duke folur para gazetarëve.
Duhet një zgjidhje politike, e cila duhet të negociohet për të siguruar një zgjidhje afatgjate, nga do të përfitonin të gjitha palët.

“Duhet një zgjidhje politike, e cila duhet të negociohet për të siguruar një zgjidhje afatgjate, nga do të përfitonin të gjitha palët”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

Se NATO-ja kërkon dialog politik për veriun, Rasmusen e ka thënë në mënyrë të qartë edhe në fjalimin e tij në fillim të diskutimeve.

Palët duhet të vijnë deri te një marrëveshje, në një spektër gjithëpërfshirës të çështjeve të lidhura me veriun e Kosovës. Ky dialog paraqet një rast historik për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe duhet të shfrytëzohet rasti në të mirë të të gjithë njerëzve në Kosovë”, ka theksuar Rasmusen.

Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s kanë konfirmuar përkushtimin e vendeve anëtare për të ndihmuar misionin e KFOR-it, dhe i kanë shprehur mirënjohje komandantit të këtij misioni në terren.

Po ashtu, Rasmusen ka folur edhe për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Bashkimit Evropian, gjegjësisht misionit të KFOR-it dhe atij të EULEX-it në terren në Kosovë. Ai e ka quajtur këtë bashkëpunim si të shkëlqyeshëm, mirëpo disa diplomatë të NATO-s kanë thënë se disa shtete anëtare të NATO-s presin që EULEX-i në fushën e rendit dhe ligjit të bëjë më shumë në Kosovë.