Bombë e kurdisur

Në planin katërpikësh të kryetarit të Serbisë, Boris Tadiq, mund të gjenden disa aspekte të cilat përputhen me dispozitat e Dokumentit të Ahtisarit, në bazë të të cilit Kosova shpalli pavarësinë e saj, por ky plan mbetet i papranueshëm, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Kosovë.

Plani i kryetarit serb Tadiq, përfshin: një zgjidhje të veçantë për manastiret ortodokse serbe dhe administratën e tyre, garanci të veçantë për serbët në enklava, zgjidhjen e çështjes së pronave të qytetarëve serbë të Kosovës dhe një zgjidhje speciale për veriun e Kosovës.

Analisti Behlul Beqaj, vlerëson se, zgjidhja speciale për veriun e Kosovës është krejtësisht në kundërshtim me Dokumentin e Ahtisarit, për shkak se një gjë e tillë do të mund të nënkuptonte një parlament dhe një qeveri për veriun Kosovës, ngjashëm me modelin e Republikës serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Tri pikat që i përfshin ai (plani i Tadiqit), objektivisht janë pjesë që janë në Planin e Ahtisarit, përkatësisht në Kushtetutën e Kosovës. E vetmja çështje që, sipas mendimit tim, me të vërtetë është politikisht diskutabile, është nëse krijohet të themi, një parlament specifik i veriut dhe një qeveri specifike e veriut. Ajo është një bombë e kurdisur, e cila do ta defunksionalizojë Kosovën sa herë të ketë nevojë pushteti në Serbi dhe sa herë që kenë nevojë serbët që janë krijues apo sajues të atij entiteti në veri të Kosovës”.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Arben Qirezi, i cili një zgjidhje speciale për veriun e Kosovës e vlerëson si diçka që është krejtësisht jashtë dispozitave të Dokumentit të Ahtisarit.

Ai thotë se brenda planit të Tadiqit ka edhe propozime tjera, me qasje, siç i quan ai, diskriminuese.

Nëse kjo do të mund të kuptohej prej atij propozimi, për ndonjë lloj statusi special për veriun, nëse do të mund të kuptohej si një propozim për autonomi territoriale, Pakoja e Ahtisarit këtë e përjashton në mënyrë decidive. Po ashtu, është mjaft e pakuptueshme çështja e mbrojtjes së pronësisë serbe. Pronësia e serbëve të Kosovës nuk është nën ndonjë atak, nga askush".

"Kjo mbase i ngjanë shumë periudhës së politikës së Millosheviqit, kur shitblerjet e pronësisë ndërmjet etnive të ndryshme në Kosovë kanë qenë të ndaluara me ligj dhe është dashur që të merrej leje e posaçme nga autoritetet e Serbisë që të bëhej çfarëdo transaksioni pronësor ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve”, shprehet Qirezi.

Ndryshe, qoftë përfaqësuesit e pozitës, qoftë ata të opozitës në Kosovë, e kanë kundërshtuar planin e kryetarit serb Tadiq, duke thënë se janë të papranueshme propozimet që mëtojnë zgjidhje jashtë Dokumentit të Ahtisarit.

Megjithëkëtë, analisti Beqaj vlerëson se duhet shqyrtuar ngjashmëritë që plani i Tadiqit mund t’i ketë me Dokumentin e Ahtisarit.

Realisht, ka shumë ngjashmëri, ka shumë elemente që i ngërthen Plani i Ahtisarit. Kështu që, apriori të hidhet diçka që është, megjithatë, një gjest i vullnetit të mirë për të tejkaluar një problem shumë serioz, besoj që është për t’u analizuar, dhe nuk është mirë që apriori të hidhet. Do të thotë, të shqyrtohen gjërat, të cilat ngërthen vet Plani i Ahtisarit dhe duke i eliminuar ato çështjet, siç është, për shembull, ajo që ka të bëjë me formën se si mendohet të realizohet një lloj i statusit të veçantë që duhet ta kenë serbët në veri”, thotë Beqaj.

Por, Arben Qirezi shpreh mendimin se zyrtarët institucionalë të Kosovës nuk duhet t’i kushtojnë shumë vëmendje planit të Tadiqit, por zgjidhjet t’i gjejnë me partnerët e tyre serbë të Kosovës, në institucionet e vendit.

Mendoj se këto lloj bombash, të cilat hidhen herë pas here nga Beogradi, nuk duhet të marrin ndonjë vëmendje të veçantë. Do të thotë, nuk bën të lejojmë që Beogradi ta ditojë agjendën politike kosovare. Mendoj se, tani për tani, Qeveria e Kosovës dhe partitë politike kanë partnerë brenda pakicave të Kosovës, duke përfshirë edhe pakicën serbe. Mendoj se është zëri i saj ai që duhet të dëgjohet në Kosovë. Kurse Serbia po paraqet pengesë për zbatimin e Pakos së Ahtisarit”.

Sidoqoftë, Dokumenti i Ahtisarit mbetet oferta e vetme që institucionet e Kosovës ofrojnë për zgjidhjen e çështjes së veriut.