Riker inkurajon për decentralizim në veri

Filip Riker

Institucionet dhe strukturat legale duhet të jenë në shërbim të qytetarëve, ka deklaruar të martën zëvendësndihmës-sekretari amerikan i Shtetit, Filip Riker.

Këto komente ai i ka bërë gjatë hapjes së një parku lojërash në pjesën veriore të Mitrovicës, në lagjen Bishevac. Projekti është financuar nga USAID-i dhe është realizuar në partneritet me Ekipin Komunal Përgatitor për Decentralizmin.

Është shumë me rëndësi që të shihet që institucionet dhe strukturat t’i shërbejnë komunitetit. Kjo është ajo që nevojitet dhe për çka po punohet në mënyrë që të sigurohemi që nevojat dhe shqetësimet e njerëzve të adresohen”, është shprehur me këtë rast Riker.
Ekipi Përgatitor Komunal për decentralizimin po punon në këtë drejtim që njerëzit ta kuptojnë konceptin
e decentralizimit...

“Ekipi Përgatitor Komunal për decentralizimin po punon në këtë drejtim që njerëzit ta kuptojnë konceptin e decentralizimit, ngase kështu, ju, komuniteti lokal, vetë do të vendosni se si do të jetoni, si do të rriten fëmijët e juaj dhe si mund të ndihmojë komuniteti ndërkombëtar për realizimin e këtyre qëllimeve”, ka theksuar Riker.

Diplomati amerikan është përmbajtur nga vlerësimet e drejtpërdrejta për gjendjen në veri dhe praninë e strukturave paralele atje, duke ritheksuar nevojën e vazhdimit të procesit të decentralizimit, përmes së cilit ai ka vlerësuar se të gjithë do të mund t’i realizojnë të drejtat e tyre.

“Është një proces që po vazhdon dhe ajo që duhet të bëjmë është që njerëzit ta kuptojnë se jeta, interesat e tyre po mbrohen si për ta, ashtu edhe për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Riker.

Sa i përket projektit të financuar nga USAID-i, Riker ka thënë se ndërtimi i parkut të lojërave është vetëm një shembull i shumë projekteve të ngjashme:

“Ekipi Përgatitor Komunal është konsultuar me komunitetin dhe ka ardhur në përfundim se një park i tillë është i nevojshëm për këtë komunitet dhe unë jam i lumtur që e bëmë këtë park një realitet”.

Gjatë hapjes së këtij parku, Riker ishte i shoqëruar edhe nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Investimet në këtë park kanë kushtuar rreth 75 mijë dollarë. Ndërkaq, është bërë e ditur se gjatë viteve të fundit, USAID-i bashkë me partnerë tjerë ndërkombëtarë kanë investuar në këtë pjesë të Kosovës rreth 10 milionë dollarë amerikanë.

Filip Riker po qëndron në Kosovë nga e hëna. Ai ka zhvilluar tashmë takime nën dyer të mbyllura me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe koordinatoren e palës kosovare në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.

Sipas njoftimeve nga Qeveria e Kosovës thuhet se kryeministri Thaçi e ka njoftuar diplomatin amerikan për zhvillimet kryesore në Kosovë, me theks të veçantë për dialogun me Serbinë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe për përmbushjen e parakushteve për Kosovën në kuadër të perspektivës integruese euroatlantike.

Ndërkaq, diplomati amerikan, sipas Qeverisë së Kosovës, ka ritheksuar “mbështetjen e Qeverisë amerikane për zhvillimin dhe afirmimin e mëtejmë të shtetit të Kosovës”.

Kjo është hera e dytë që Riker viziton Kosovën në postin aktual, pasi që paraprakisht ai kishte qëndruar në Kosovë më 17 gusht të vitit të kaluar, pas operacionit të Qeverisë së Kosovës në veri të vendit, për të funksionalizuar pikat kufitare me Serbinë.

Atëbotë, Riker u pati dhënë mbështetje autoriteteve qeveritare të Kosovës të vendosin sundimin e rendit dhe ligjit në veri, ndërkaq kishte përsëritur se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe se nuk mund të ketë ndarje.


Video: Gresa Kraja

Your browser doesn’t support HTML5

Filip Riker në veri të Mitrovicës