Diplomaci e suksesit apo kaosit

Fotografi ilustruese


Përfaqësues të qeverisë dhe ata të opozitës shprehin mendime krejtësisht kundërthënëse në lidhje me sukseset, ngecjet por edhe dështimet e diplomacisë dhe politikës së jashtme gjatë vitit 2011.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se krahasuar me fazën fillestare të diplomacisë, sivjet ata kanë arritur shumë rezultate, përderisa ish-ministri i Jashtëm Skender Hyseni, mendon se qeveria ka krijuar aq shumë dikastere në këtë fushë sa që e ka lënë Kosovën pa adresë të saktë në politikën e saj të jashtme.

Mirëpo, në anën tjetër, zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi thotë se sivjet Kosova ka shënuar në evalvim shumë pozitiv në politikën e saj të jashtme.

Aktivitetet e Ministrisë së Jashtme do të mund të përmblidheshin në tri domene kryesore. Nën një: hartimi i dokumenteve për konsolidimin dhe avancimin e punës së MPJ-së dhe shërbimit diplomatik të Kosovës. Nën dy: implementimin me sukses të strategjisë për kompletimin e njohjeve të shtetit të Kosovës, dhe tre: prezantimin dhe afirmimin e profilit të Kosovës si shtet demokratik dhe funksional nëpërmes diplomacisë publike”, thotë Gashi.

Ndërkohë, ish-ministri i Jashtëm, Skender Hyseni tërheqë vërejtjen se Ministria e Jashtme nuk po e kryen punën e vet.

Ajo sipas tij, po i ngjan një organizate joqeveritare.

Skender Hyseni

Fatkeqësisht po bëhet lojë në rrafshin diplomatik. Qeveria e Kosovës është skajshmërisht joserioze në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ka ndërtuar aq shumë dikastere që merren me politikën e jashtme sa që nuk ka një adresë të saktë në Kosovë të politikës së jashtme. Është MPJ-ja ajo që do të duhej dhe koordinonte çdo aktivitet në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, por fatkeqësisht ajo këtë nuk e bën”, vlerëson Hyseni.

Një aspekt me prioritet në politikën e jashtme gjatë vitit 2011 ishte lobimi dhe shtimi i numrit të njohjeve.

Megjithatë, i tërë viti Kosovës i solli vetëm 13 njohje.

Ish-ministri Hyseni thotë se qeveria e ka shndërruar lobimin në tregti politike, çka sipas tij, është një veprim me rrezik për një vend që pret njohje të reja ndërkombëtare.

Ju nuk guxoni të leni përshtypjen se njohja e Kosovës mund të materializohet në çfarëdo mënyre qoftë përpos asketit formalo - juridik në rrafshin ndërkombëtar sipas të Drejtës Ndërkombëtare. Kërkimi i njohjes duhet të jetë proces shumë i pastër dhe po ashtu vet procesi dhe akti i njohjes duhet të jetë një proces tej mase i pastër”, thekson Hyseni.

Kritikave të opozitës për numrin e madh të dikastereve dhe përzierjen e kompetencave në rrafshin diplomatik, qeveria u përgjigjet me vlerësimin se në mandatin e qeverisë së kaluar, Kosova vetëm po fillonte me ndërtimin e politikës së jashtme dhe diplomacisë, kurse sivjet dhe vitin e ardhshëm ajo po e konsolidon atë. Kështu të paktën mendon zëvendësministri Ibrahim Gashi.

Viti 2012 do të jetë vit i konsolidimit të MPJ-së...
Viti 2011 ka qenë vit i kalimit nga një stad i etablimit fillestar, të shërbimit fillestar dhe gjithë resurseve të Ministrisë së Jashtme në një stad tjetër të konsolidimit të këtyre resurseve dhe infrastrukturës. Viti 2012 do të jetë vit i konsolidimit të MPJ-së, që nënkupton edhe krijimin e 5 departamenteve të reja dhe të shërbimit diplomatik me hapjen e pesë misioneve të reja diplomatike”, ka thënë Gashi.

Sidoqoftë, përplasjet në relacionet qeveri - opozitë në lidhje me politikën e jashtme janë të vazhdueshme.

Opozita mendon se caktimi i zëvendëskryeministrit të parë Behxhet Pacolli për çështje të lobimit, pastaj i emërimi i dy zëvendësministrave të jashtëm krahas ministrit Enver Hoxhaj, si dhe caktimi i një të dërguare të posaçme për bisedimet me Serbinë, paraqet një kaos përfaqësimin e Kosovës në politikën e saj të jashtme.

Ndërkaq qeveria vlerëson se Kosovës i nevojiten shumë adresa që ta përfaqësojnë vendin sa më mirë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse në këtë fushë.