Skeptikë ndaj nismës së re

Atifete Jahjaga


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga thotë se është e vendosur që të themelojë një këshill koordinues këshillëdhënës për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Pas kthimit nga vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndër tjera Jahjaga është pritur edhe nga sekretarja amerikane e Shtetit Hilari Klinton dhe zyrtarë të lartë amerikanë, ajo tha se këshilli të cilin do ta themelojë, do të funksionojë nën ingerencat e saj dhe do të ketë një rol koordinues e këshillëdhënës.

Unë do të filloj me vendosjen e këtij këshilli i cili do të jetë kryesisht koordinues dhe këshillëdhënës përbrenda institucioneve dhe besoj që do të kemi një bashkëpunim dhe unitet përbrenda të gjitha institucioneve sepse jemi duke u angazhuar që të kemi një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Jahjaga.

Paralajmërimet e para për formimin e këtij këshilli, presidentja Jahjaga i bëri para Kuvendit të Kosovës në prag të nisjes së vizitës në Shtetet e Bashkuara.

Ajo pati thënë se do të kërkojë edhe ndihmën e institucioneve amerikane për themelimin dhe funksionimin e këtij këshilli.

Por, në anën tjetër organizata që merren me monitorimin e punës së institucioneve të Kosovës nga aspekti i luftimit të krimit dhe korrupsionit, nuk e shohin shumë të dobishëm themelimin e një këshilli të tillë nga ana e presidentes.

Lorik Bajrami nga organizata Çohu thotë se ky trup mund të ketë më shumë një karakter formal sesa që në fakt mund të pritet ndonjë rezultat pozitiv në drejtim të luftimit të dukurive negative.

Mendoj që ideja për themelimin e një trupi këshillëdhënës nuk është asgjë tjetër veç edhe një prononcim media i Zyrës së Presidentes.
Mendoj që ideja për themelimin e një trupi këshillëdhënës nuk është asgjë tjetër veç edhe një prononcim media i Zyrës së Presidentes për themelimin e një këshilli i cili në thelb, të paktën prej informatave që kanë dalë deri më tash, nuk mendoj se do të arrijë ndonjë rezultat efektiv në terren”, vlerëson Bajrami.

Lorik Bajrami thotë po ashtu se aktualisht në Kosovë ka mjaft organe që do të duhej ta luftonin korrupsionin dhe se sipas tij, më tepër ka nevojë për ligje dhe qartësim kompetencash.

Ai nënvizon po ashtu se presidentja Jahjaga nuk e ka të qartë as kohëzgjatjen e mandatit të saj që të formojë një trup të tillë, qoftë ai edhe këshillëdhënës.

Momentalisht në Kosovë ekziston Agjencia Kundër Korrupsionit, pastaj njësia për krime ekonomike dhe krime kundër korrupsionit në kuadër të policisë, por ekziston edhe një task-forcë në kuadër të prokurorisë speciale kundër korrupsionit. Domethënë krijimi edhe i një trupe qoftë edhe këshillëdhënës mendoj që e rëndon shumë aspektin institucional të luftës kundër korrupsionit”, thotë Bajrami.

Sidoqoftë, presidentja Jahjaga është zotuar para Kuvendit të Kosovës se do të angazhohet personalisht që krimi dhe korrupsioni, si dukuri që po e dëmtojnë të ardhmen e Kosovës, të luftohen dhe mposhten.
Pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, Jahjaga edhe të martën ka ritheksuar se Uashingtoni përkrah angazhimet e institucioneve të Kosovës për ndërtimin e një shoqërie të lirë e demokratike.

Kosova tanimë nuk shihet vetëm si një shtet që ka nevojë për ndihmë, por shihet edhe si një shtet dhe vend që mund të kontribuojë fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos në aspektin duke qenë një shembull i mirë i ndërtimit të jetës së përbashkët të qytetarëve duke respektuar vlera që tashmë i kemi ndërtuar. Jemi të gatshëm që të marrim pjesë në të gjitha misionet dhe iniciativat rajonale e ndërkombëtare”, është shprehur Jahjaga.