Propozimet për arritjen e një marrëveshjeje midis Prishtinës dhe Beogradit për menaxhim të integruar të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të mos kenë konsensusin e gjerë politik në Prishtinë.
Jo vetëm opozita, por zbatimin e një propozimi të tillë të hënën e ka vënë në dyshim edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Ai thotë se çështja e kufijve tejkalon kompetencat e ekipit negociues të Kosovës dhe se një propozim eventual i tillë duhet të dalë për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
Marrëveshjet eventuale për kufijtë, bien ndesh edhe me Rezolutën e Kuvendit për bisedimet me Serbinë, ka thënë Krasniqi.
Ideja për menaxhim të integruar të kufirit nuk është një propozim i ri në rajon, pasi që veprime të tilla Kosova ka ndërmarrë tashmë me vendet tjera, përveç Serbisë.
Por, dallimi tek arritja e marrëveshjes me Serbinë qëndron tek fakti se ky vend nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe kufirin ndërshtetëror e konsideron si një vijë administrative.
Jozyrtarisht është thënë se një marrëveshje e tillë eventuale ka të bëjë me organizimin e pikave të përbashkëta doganore në kufij, pa e obliguar Serbinë që ta njohë Kosovën si shtet.
Kurse menaxhimi do të bëhej nga doganierë të Kosovës, misionit të BE-së – EULEX dhe doganierët e Serbisë.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq ka deklaruar këto ditë se kjo ide, madje ishte propozuar pikërisht nga Serbia.
Por, kryenegociatorja e Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri thotë se propozimi për menaxhimin e integruar të kufirit është i kryeministrit Hashim Thaçi.
Kur ka dalë si ide në kudër të BE-së, kryeministri Thaçi i pari i ka dhënë mbështetje çështjes së menaxhimit të integruar të kufirit.
“Kur ka dalë si ide në kuadër të BE-së, kryeministri Thaçi i pari i ka dhënë mbështetje çështjes së menaxhimit të integruar të kufirit. Madje mund të them se kryeministri Thaçi në një mënyrë është edhe ideator i kësaj ideje. Kurse ajo që zoti Tadiq e bën si një propagandë politike për të marrë merita, ka të bëjë me një lloj përpjekje që ta vë në lajthitje BE-në në mënyrë që ta sigurojë statusin e kandidatit”, ka thënë Tahiri.
Idetë për arritjen e një marrëveshjeje eventuale Kosovë – Serbi për menaxhim të kufirit janë kundërshtuar ashpër nga opozita në Prishtinë.
Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca thotë se ky propozim ka për qëllim menaxhimin e pikave kufitare vetëm në anën e Kosovës, por jo edhe në anën e Serbisë.
Andaj, ai e sheh atë si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në sovranitetin e Kosovës.
Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ky proces ka si qëllim vendosjen e një bashkëpunimi dhe uljen e tensioneve ndërmjet dyja vendeve fqinje, të cilat pretendojnë integrimet evropiane.
Ndërkaq, propozimet e fundit që dolën pas takimeve të ndara të ndërmjetësuesit të BE-së, Robert Kuper me delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi për menaxhimin e integruar të kufirit Kosovë – Serbi, paraqesin dhe përpjekje për të zhbllokuar gjendjen e ngrirë në veri.
Institucionet e shtetit të Kosovës bashkë me mekanizmat ndërkombëtarë kanë dërguar doganierë e policë kufitarë në portat 1 dhe 31 në kufi me Serbinë, por si kundër reagim, serbët lokalë, të përkrahur nga Beogradi zyrtar kanë bllokuar rrugët për afër katër muaj duke e vënë veriun në një zonë të kufizuar të lirisë së lëvizjes dhe qarkullimit.