Barrikadat, si ”loja” e maces dhe miut

Barrikadat e vendosura nga serbët lokalë...

Forca paqeruajtëse e NATO-s, ka konfirmuar se në orët e hershme të mëngjesit, KFOR-i ka përdorur gazin lotsjellës, në përpjekje për të ndalur dy kamionë, të cilët, siç thuhet, “rrezikonin parametrat e sigurisë së pikës së re të kontrollit” në veri të Kosovës.

Veriu i Kosovës vazhdon të jetë një zonë ushtarake nën mbikëqyrjen e KFOR-it, pas tensioneve që pasuan përpjekjet e institucioneve të Kosovës për të marrë nën kontroll pikat kufitare me Serbinë në veri të vendit më 25 korrik dhe kundërshtimeve të serbëve lokalë që u manifestuan me ngritjen e barrikadave nëpër rrugë.

Përdorimi i gazit lotsjellës nga KFOR-i ishte i shkurtër, i izoluar dhe i justifikuar, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i KFOR-it, Frenk Martin.

Sot në mëngjes KFOR-i ka vendosur një pikë të re kontrolli të automjeteve në jug të Portës 1 në afërsi të Jarinjës, në mbështetje të EULEX-it. Në të njëjtën kohë, rruga dytësore e Portës 1 në perëndim të lumit Ibër është bllokuar”, ka thënë Martin.

Hapat e tillë të KFOR-it në mbështetje të lirisë së qarkullimit për EULEX-in, pasojnë vendimet e strukturave serbe që në këtë pjesë, vetëm KFOR-i mund të lëvizë lirshëm, por jo edhe misioni i BE-së – EULEX. Por, një vendim i tillë ishte kundërshtuar nga KFOR-i.

”Së bashku me EULEX-in, KFOR-i filloi operacionin për të parandaluar përdorimin e rrugës dytësore në perëndim të lumit Ibër për kalime të paautorizuara kufitare dhe për të kontrolluar trafikun në Pikën e re të kontrollit të automjeteve”, ka njoftuar zëdhënësi i KFOR-it.

Martin ka bërë të ditur se vendkalimi në pikën kufitare në Jarinjë, Porta 1, është teknikisht operacional dhe i gatshëm për përdorim.

Mirëpo, edhe pas këtij aksioni të KFOR-it, serbët lokalë, të udhëhequr nga strukturat paralele të pushtetit në veri, kanë ngritur një barrikadë tjetër vetëm 150 metra nga vendi ku KFOR-i kishte larguar barrikadën paraprake.

Loja ndërmjet KFOR-it dhe serbëve, është lojë e maces dhe miut ...

Kryetari i komunës paralele të Leposaviqit, Branko Niniq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se zhvillimet në veri po e rikujtojnë atë në lojën e maces dhe miut.

”Loja ndërmjet KFOR-it dhe serbëve, është lojë e maces dhe miut dhe se KFOR-i e di mirë se sa herë që ata heqin pa marrëveshje ndonjë barrikadë, serbët gjithmonë do të ngrenë barrikadën e re”, ka thënë Niniq.

Ai ka deklaruar se situata e tillë e heqjes dhe e ngritjes së barrikadave nëpër rrugë, do të vazhdojë derisa të gjendet një zgjidhje politike. Niniq ka thënë se serbët nuk janë kundër KFOR-it, por janë kundër pranisë dhe instalimit të institucioneve të Kosovës në veri.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka theksuar se është në koordinim me KFOR-in dhe EULEX-in për çështjen e zhbllokimit të rrugëve në veri.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka thënë se katër muaj pa liri të lëvizjes në veri, nënkuptojnë se durimit mund t’i vijë edhe fundi, por megjithatë ai ka mbështetur përpjekjet dhe angazhimet e KFOR-it që në atë pjesë të vendosë një liri të qarkullimit.

Hajredin Kuçi


”Kërkohet zhbllokimi i asaj pjese të territorit tonë nga zaptuesit. Atje kemi njerëz që menaxhojnë me krimin e organizuar, menaxhojnë edhe me ambientin, do të thosha - qoftë ai politik apo i sigurisë - në emër të një patriotizmi të rrejshëm. Kjo logjikë nënkupton që ata njerëz të ndalen, rrugët të zhbllokohen, të vihen ata para drejtësisë dhe të krijohet ambient për qasje të drejtë të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë dhe mbi këtë bazë, më pas do të ofrojmë zhvillim ekonomik dhe integrim të serbëve në institucionet e vendit”, ka theksuar Kuçi.

Zëvendëskryeministri Kuçi ka mohuar mundësinë e gjetjes së ndonjë zgjidhjeje të veçantë për veriun, e cila do të nënkuptonte ndonjë autonomi për këtë pjesë. Ai ka thënë se me strukturat ilegale nuk mund të ketë kompromise.

”Ne nuk kemi plan tjetër për atje. Kemi Kushtetutën dhe Planin e presidentit Ahtisari dhe atje ka nevojë të krijohen kushtet për zbatimin e tyre. Ka kufi edhe durimi ynë, por ajo që mund të them është që kemi qenë të kujdesshëm që veprimet tona të mos e tensionojnë edhe më shumë gjendjen. Por, kompromis me strukturat ilegale, me bllokuesit e rrugëve nuk do të ketë”, ka deklaruar Kuçi.

Barrikadat në veri të Kosovës janë ngritur nga serbët lokalë nën drejtimin e përfaqësuesve politikë të këtij komuniteti, si formë kundërshtimi për vendosjen e policëve dhe doganierëve kosovarë në dy vendkalimet kufitare me Serbinë.