Me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ligjvënësit kosovarë pritet që në një nga seancat e radhës në Kuvendin e Kosovës, të shtrojnë për debat raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian.
Partia inicuese e këtij debati, LDK-ja, pret që Kuvendi t’i potencojë të gjitha sfidat që i përmban raporti i fundit i progresit, përderisa analistët e çështjeve të integrimeve evropiane presin që edhe Kuvendi fillimisht të merret me përmbushjen e sfidave legjislative që përmenden në raportin e fundit të progresit.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, thotë se nga debati nuk pret ndonjë vendim që do të ndikojë ndopak në përmbushjen e sfidave në këtë raport, por ai pret që të paktën opinioni të njihet me vlerësimet që i bën Komisioni Evropian përparimit në Kosovë.
Lidhur me debatin e thirrur nga partia opozitare, LDK-ja, eksperti i çështjeve të integrimeve evropiane, Fatmir Curri, thotë se Kuvendi ka përgjegjësi në mbikëqyrjen e qeverisë në lidhje me përmbushjen e kritereve evropiane, duke ftuar ministrat rregullisht që të raportojnë për punën e tyre nëpër komisione parlamentare.
“Kuvendi ka një rol shumë të fuqishëm në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Raporti i Progresit. Ajo që duhet të bëjë Kuvendi është që të analizohet në secilin Komision pjesë që i takojnë atij Komisioni, pra fushat e kritereve të Kopenhagës që i takojnë atij Komisioni dhe në këtë mënyrë të kërkojë qoftë interpelancë të ministrave apo dëgjim publik”, thekson Curri.
Kuvendi ka një rol shumë të fuqishëm në mbikëqyrjen e ekzekutivit dhe në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Raporti i Progresit.
Ai thotë po ashtu se Qeveria dhe Kuvendi duhet të harmonizojnë agjendën legjislative për vitin vijues.
Curri inkurajon edhe pjesëmarrjen qytetare dhe përfshirjen e shoqërisë civile në debate publike në çështjet e rëndësisë së veçantë.
Ndryshe, Komisioni Evropian përmes Raportit të Progresit bën matjen e përparimeve, ngecjeve dhe sfidave tek vendet që aspirojnë integrimet evropiane.
Në rastin e Kosovës, raporti evidenton si ngecje çështjet që kanë të bëjnë me mungesën e luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, mangësi në fushën e prokurimit publik, evidenton një gjyqësor jo të pavarur nga politika, pastaj mangësi në sundimin e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës si dhe kritikon gjendjen në fushën e lirisë së shprehjes dhe medieve.
Sidoqoftë, Komisioni Evropian në këtë Raport ka potencuar edhe faktin se shumë ngecje mund të jenë pasojë e zvarritjes së konstituimit të institucioneve në Kosovë pas një procesi të tej zgjatur zgjedhor në fillim të këtij viti.