Për ndryshimet kushtetuese, te Komisioni i Venecias

Kuvendi i Kosovës (Foto nga arkivi)

Zgjedhja e presidentit nga ana e qytetarëve mund të mos jetë risia e vetme në ndryshimet e ardhshme Kushtetuese, pasi që qytetarët, gjatë debateve publike, kanë mbështetur opsionin e zgjedhjes së një zëvendëspresidenti.

Bazuar në debatet me qytetarë të Komisionit për amendamentimin e Kushtetutës, kryetari i këtij Komisioni, Arsim Bajrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, nënvizon tri çështje, për të cilat qytetarët kanë shprehur më shumë interesim.

Bëhet fjalë për zëvendëspresidentin, çështjen e dyshtetësisë së presidentit dhe ajo e betimit para popullit të presidentit në të ardhmen.

Arsim Bajrami


“Qytetarët, pothuaj në të gjitha komunat, e kanë përkrahur opsionin e një zëvendëspresidenti formal, i cili në mënyrë automatike do ta zëvendësonte presidentin, i cili largohet për shkaqe të ndryshme nga detyra”.

“Çështja e dytë ka qenë ajo e dyshtetësisë dhe çështja e tretë ka qenë ajo e betimit të presidentit. Pothuajse në të gjitha debatet publike kemi marrë përkrahje para popullit, figurativisht dhe për një betim jashtë Parlamentit
”, thotë Bajrami.

Debatet publike pritet të përmbyllen më 4 nëntor në Prishtinë. Më pas, Komisioni do të mblidhet dhe do t’ua dërgojë propozimet edhe partive parlamentare, në mënyrë që propozimi para Kuvendit të jetë sa më konsensual dhe jo me dy alternativa.

Arsim Bajrami thotë se ai preferon që mendimi t’i kërkohet edhe Komisionit të Venecias.

“Unë, si kryesues, do të kërkoj që të merret edhe mendimi i Komisionit të Venecias, një komision i specializuar për çështje kushtetuese në mënyrë që të sigurohemi se cila zgjidhje ka përkrahje në pajtim me standardet më të larta të Bashkimit Evropian sa i përket të Drejtës Kushtetuese. Ideja është që para se teksti të dërgohet në Parlament për miratim, të arrihet konsensusi i gjerë i partive politike”, thekson Bajrami.

Lidhur me punën e bërë në komision dhe debatet publike, anëtarja e këtij komisioni, Vjosa Osmani, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë se çështja tjetër që tani e pret Komisionin është arritja e konsensusit me partitë politike në lidhje me ndryshimet e propozuara.
...partitë do të jenë përfundimisht ato që do të votojnë me dy të tretat, madje edhe dy të tretat e pakicave, sepse kërkohet shumica e dyfishtë, në mënyrë që këto amendamente të hyjnë në fuqi.



Tani ne do të duhet të kthehemi te partitë politike, të cilat i përfaqësojmë, sepse partitë do të jenë përfundimisht ato që do të votojnë me dy të tretat, madje edhe dy të tretat e pakicave, sepse kërkohet shumica e dyfishtë, në mënyrë që këto amendamente të hyjnë në fuqi. Mendoj që pas debateve, Komisioni tani ka një ide shumë më të qartë për shumicën e çështjeve”, shprehet Osmani.

Te partitë politike, deri më tani kishte dallime sa i përket dyshtetësisë së kandidatit të ardhshëm për president. Aleanca Kosova e Re e Behxhet Pacollit, mbështet kandidimin me dy shtetësi për president, përderisa ka opsione tjera, me të cilat kërkohet që në momentin e zgjedhjes, presidenti i ardhshëm i Kosovës të ketë vetëm shtetësinë e Kosovës.

Vjosa Osmani megjithatë nuk e sheh këtë si një sfidë për amendamentet që do të propozohen në Kuvend.

“Në qoftë se ka ndonjë çështje që e ndan Komisionin në dysh dhe nuk i arrin dy të tretat në votim, atëherë natyrisht që në Kuvend do t’i dorëzojmë dy alternativa. Ju e dini se në procese ligjvënëse shpesh ndodh që për një nen të caktuar propozohen dy amendamente dhe cili të marrë më shumë vota, ai kalon, edhe pse siç po shihet puna tani nuk besoj që do të ketë çështje të tilla që do ta ndanin Komisionin më dysh dhe rrjedhimisht do të kishte nevojë të dërgojmë dy alternativa në Kuvend”, shton Osmani.

Komisioni Parlamentar për ndryshimet kushtetuese beson se do ta përfundojë me kohë punën në mënyrë që më pas Kuvendi me dy të tretat e votave t’i votojë këto ndryshime.

Sipas marrëveshjes politike dhe Rezolutës në Kuvendin e Kosovës, pritet që ndryshimet të përfshijnë në vete edhe një amendament shtesë, me të cilin do të shpallen zgjedhjet e para presidenciale në Kosovë, jo më larg se gjashtë muaj pas aprovimit të ndryshimeve nga Kuvendi.

Lexoni edhe këto:
Kosova drejt zgjedhjeve presidenciale

Kritikohen reformat kushtetuese-zgjedhore