Kuçi: Nuk po e lusim Serbinë të kthehet në dialog

Hajredin Kuçi

Kosova ka vullnet, por nuk i bën lutje Serbisë për të vazhduar dialogun, deklaroi të premten zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.

Kuçi tha se Prishtina zyrtare ka hyrë në këtë dialog duke respektuar kërkesat e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por nuk është ajo palë që i bën lutje Serbisë që të rikthehet në tavolinën e bisedimeve.

Këto komente, Kuçi i bëri pas paralajmërimeve për thirrjen e takimit të radhës diku nga mesi i nëntorit. Pala kosovare ka shprehur gatishmëri të jetë e pranishme, përderisa Beogradi nuk ka një pozicion të qartë.
Kemi vullnet për dialog me Serbinë, por nuk jemi ata që u themi ju lutem a po vini sot, a po vini nesër.



“Kemi vullnet për dialog me Serbinë, por nuk jemi ata që u themi ju lutem a po vini sot, a po vini nesër. Ky është qëndrimi zyrtar i Qeverisë. Çështja e dytë, ne kemi bërë dialog me lehtësimin e BE-së dhe SHBA-ve, dhe ata janë garantues të çdo marrëveshjeje eventuale të arritur dhe mbi bazën e saj ne do të kërkojmë nga ta një lloj përgjegjësie për implementim. Dhe, e treta është që Kosova i ka pranuar ato marrëveshje dhe ka filluar zbatimin e plotë”, tha Kuçi.

Në anën tjetër, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedimet me Kosovën, Borisllav Stefanoviq, tha për Radion Evropa e Lirë, se raundi i ardhshëm i bisedimeve do të ndodhë vetëm atëherë kur të dyja palët dakordohen.

Borisllav Stefanoviq

Stefanoviq theksoi se dialogu përfshin të gjitha çështjet dhe se ai nuk përkufizohet vetëm si teknik, siç cilësohet nga pala kosovare.

Për ne, një kategorizim i tillë është artificial, që përdoret për nevoja të brendshme të politikës në Prishtinë”, tha Stefanoviq për Radion Evropa e Lirë.

Pala serbe në vazhdimësi kishte insistuar që temë e dialogut të jenë edhe pikat doganore në veri dhe gjendja e krijuar atje, me çka nuk është pajtuar pala kosovare dhe ajo ndërmjetësuese.

Marrëveshjet e arritura, Prishtina zyrtare tha se tashmë ka filluar t’i zbatojë, por ato në tërësi nuk po zbatohen nga Serbia.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se vendet, si Serbia, që mendojnë se mund t’i arrijnë, por jo edhe t’i zbatojnë marrëveshjet ndërkombëtare, gabohen rëndë.
Bën gabim ai që mendon se e arrin një marrëveshje me garanci ndërkombëtare dhe nuk e zbaton.


“Ne mendojmë që marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen. Ka shumë shtete që gjatë historisë në fazën fillestare nuk i kanë zbatuar marrëveshjet, por ndërkohë i kanë zbatuar. Marrëveshja është një parim ndërkombëtar dhe duhet të respektohet”.

“Bën gabim ai që mendon se e arrin një marrëveshje me garanci ndërkombëtare dhe nuk e zbaton. T’ua citoj një thënie kineze, në fund thuhet: ‘Nëse nënshkruan diçka, mos qaj pastaj!’. Andaj, Prishtina respekton në tërësi marrëveshjet e arritura”,
deklaroi Kuçi.

Me akuzat dhe kritikat e palës kosovare nuk pajtohet ajo serbe. Borisllav Stefanoviq tha se ka disa çështje ligjore që kërkojnë rishikim para se të zbatohen të gjitha marrëveshjet dhe se, sipas tij, vonesat nuk ndërlidhen me mosgatishmërinë e Serbisë për t’í zbatuar këto marrëveshje.

”Ne, të gjitha marrëveshjet do t’i zbatojmë dhe kritikat që na drejtohen, nuk qëndrojnë”, u shpreh Stefanoviq.

Aktualisht, sipas tij, Serbia po zbaton marrëveshjen për vulat doganore dhe dokumentet përcjellëse, kurse në të ardhmen do t'i zbatojë edhe marrëveshjet për librat amë dhe kadastrën.

Ndryshe, në dialogun e deritashëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradi,t të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, janë arritur pesë marrëveshje në formë konkluzionesh.