Fitu: Ky është fashizëm

Zhan Fransua Fitu


Një debat për liberalizimin e vizave, i organizuar nga Instituti për Studime Evropiane, është kthyer në akuza dhe kundër-akuza ndërmjet aktivistëve të Vetëvendosjes dhe ministrit të brendshëm Bajram Rexhepi.

Ndërkohë që sjelljet e aktivistëve të Vetëvendosjes, ambasadori francez në Kosovë, Zhan Fransua Fitu, i ka cilësuar si sjellje fashiste.

Gjithçka filloi pasi që ministri Rexhepi dhe ambasadori Fitu mbaruan fjalimet e tyre para studentëve të ISPE-së në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.

Atëherë, një aktivist i Vetëvendosjes iu drejtua Rexhepit me fjalët se ai "po fliste për liberalizim vizash për në Evropë, përderisa, si tha ai, Rexhepi nuk guxon të shkojë as në veri të Kosovës.

Ky fjalim i tij, u përcoll me fishkëllima nga aktivistët e tjerë të Vetëvendosjes që kishin hyrë në sallë. Ata më pas u përcollën nga sigurimi dhe policia jashtë salle.

Pasi që aktivistët e Vetëvendosjes u nxorën jashtë nga sigurimi dhe policia, në mbrojtje të ministrit Rexhepi është vënë ambasadori francez, Zhan Fransua Fitu.

Ai tha se nuk është e vërtetë që Rexhepi nuk ka qenë në veri të Kosovës.

Kjo është Evropa e vitit 1943, ky është fashizëm.
Fitu i ka cilësuar në vijim aktivistët e Vetëvendosjes si "gangsterë që aktrojnë fashizmin".

Kjo është Evropa e vitit 1943, ky është fashizëm. Vendi im Franca dhe Evropa nuk e pranojnë këtë frymë”, tha ambasadori Fitu.

Sipas tij, gjithkush mund të flasë dhe kritikojë, por askush nuk mund t’i marrë të drejtën dikujt që të flasë, siç bënë aktivistët e Vetëvendosjes në këtë debat.

Kjo është Bavaria. Ky është Hitleri i vitit 1943. Kosova nuk ka nevojë për këto gjëra, vendi im nuk ka nevojë për këtë dhe as Evropa”, është shprehur ambasadori Fitu.

Edhe Bajram Rexhepi, është kundërpërgjigjur duke thënë se ai çdo vikend e kalon në shtëpinë e tij në Suhodoll, në veri të Kosovës, ku, siç tha ai, nuk ka as polici të pranishme.

Ai tha se Vetëvendosje ka vetëm fjalë dhe i ftoi ata që të shkojnë së bashku kur të duan në veri.

Po e them me një lloj sarkazmi, pa megalomani, se sa për trimërinë e Vetëvendosjes, i mbaj në xhep të vogël”, është shprehur ministri Rexhepi.

Ndërkohë, Vetëvendosje përmes një njoftimi thotë se policia ka përdorë edhe dhunën ndaj 10 aktivistëve të saj.

Kjo nuk është hera e parë që Vetëvendosje merr pjesë në debate të tilla të zyrtarëve qeveritarë dhe atyre ndërkombëtarë me studentë të universiteteve dhe instituteve të ndryshme në Kosovë, ku zakonisht ata nxirren jashtë për shkak të pyetjeve, që zakonisht përcillen edhe me fishkëllima dhe parulla të ndryshme kritikuese ndaj qeverisë.