Mbështesin KFOR-in, kritikojnë qeverinë

Kuvendi i Kosovës - foto nga arkivi

Ligjvënësit e Kosovës kanë përshëndetur operacionin e KFOR-it në veri për heqjen e barrikadave të vendosura nga strukturat paralele.

Megjithatë, në deklarimet e tyre, pozita dhe opozita kanë shprehur dallime në lidhje me angazhimin e Qeverisë së Kosovës në këtë pjesë.

Fillimisht, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë para deputetëve se veprimi i KFOR-it dhe EULEX-it për zhbllokimin e rrugëve, është në koordinim të plotë me institucionet e Kosovës për vënien e rendit dhe ligjit. Ai ka dënuar dhunën ndaj forcave paqeruajtëse.
...të gjitha angazhimet dhe përkushtimet janë të përbashkëta, të koordinuara mes qeverisë, autoriteteve të KFOR-it, EULEX-it, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.


“Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lart përkushtimin e vazhdueshëm të forcave të KFOR-it dhe EULEX-it, që në kuadër të mandatit të tyre po përmbushin angazhimet për vendosjen e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në pjesën veriore të vendit”.

“Dëshiroj të theksoj se të gjitha angazhimet dhe përkushtimet janë të përbashkëta, të koordinuara mes qeverisë, autoriteteve të KFOR-it, EULEX-it, Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”,
ka thënë Thaçi.

Ai është shprehur i bindur se operacioni i përbashkët në veri do të ketë fund të suksesshëm.

Mirëpo, deputetët e opozitës, ndërsa kanë përshëndetur veprimet e KFOR-it për zhbllokimin e rrugëve të barrikaduara, kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për pasivitet dhe mungesë të qasjes në territorin e vendit.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se veprimet e fundit të KFOR-it po dëshmojnë pafuqinë e institucioneve të Kosovës në veri të vendit.
Veprimet e fundit që po ndërmerr KFOR-i në veri të Kosovës janë dëshmi e pafuqisë së lidershpit tonë.

“Ne i dhamë mbështetje ndërhyrjes për ta vënë nën kontroll institucional pjesën e veriut, e sot gjendja në këtë pjesë të Kosovës është shumë më e keqe sesa para 25 korrikut. Veprimet e fundit që po ndërmerr KFOR-i në veri të Kosovës janë dëshmi e pafuqisë së lidershpit tonë”.

“Ne po përballemi me një grup kriminelësh që po tentojnë t’i sfidojnë institucionet e Kosovës dhe aleancën më të fuqishme ushtarake në botë - NATO-n. Po përballemi me ata njerëz që Kosovën e humbën njëherë e përgjithmonë, në pranverën e vitit ‘99”,
ka thënë Haradinaj.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, ka thënë se Kosova duhet të nxjerrë shumë mësime nga zhvillimet në veri.

Që nga intervenimi i Policisë së Kosovës më 25 korrik në veri, ka nënvizuar ai, është parë se policia dhe organet e rendit kanë mangësi në logjistikë dhe në nivel përgatitor, për t’u ballafaquar me situata të tilla.

“Nga aksioni i 25 korrikut ne nxorëm shumë mësime. Policia e Kosovës ka mungesë të pajisjeve adekuate, filluar nga helmetat, mjetet për komunikim të sigurt, mjetet për vëzhgim, transporterë, helikopterë e të tjera”.

“Në një situatë të tillë, t’i keqpërdorësh dhe përvetësosh fondet për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë, është krim mbi krimin”,
është shprehur deputeti Çuni.

Fjalimet e deputetëve për gjendjen në veri ishin pjesë e diskutimeve të tyre individuale, pasi që Kuvendi i Kosovës nuk i ka trajtuar këto zhvillime, por ka vazhduar me punimet në seancën e rregullt plenare.