Synim për mbikëqyrje në energjetikë

Fotografi ilustruese


Komisioni Evropian dëshiron që të ketë mbikëqyrje më të madhe në marrëveshjet për energji, që bëhen ndërmjet vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendeve të treta, siç është Rusia.

Kjo është esenca e propozimit më të ri që të mërkurën është shpallur në Bruksel.

Komisionari për energji i Bashkimit Evropian, Gynter Otinger, ka thënë se është e domosdoshme krijimi i një “strategjie gjithëpërfshirëse për raportet e jashtme të BE-së në energji”, për ta evituar mundësinë që vendet anëtare të ndeshen njëra me tjetrën me rastin e arritjes së marrëveshjeve.

Me një interes dhe me një zë ne e krijojmë në situatë krejtësisht tjetër. Atëherë bëhet më e vështirë që pala tjetër të luaj me sipas thënies përçaj e sundo”, tha komisionari Otinger.

Komisioni Evropian argumenton se një politikë më koherente e energjisë e BE-së është e domosdoshme, pasi sasia e energjisë së importuar pritet të rritet gjatë viteve të ardhshme.

Aktualisht importohet 80% e gjithë sasisë së përdorur të naftës në BE, ndërsa, po ashtu importohet 60% e gazit.

Sipas propozimit, shtetet anëtare do të duhej t’i dërgonin të gjitha marrëveshjet e arritura ndërmjet tyre dhe palës nga vendet e treta, në Komisionin Evropian, megjithëqë mendohet se dokumentet e besueshme të ndërlidhura me pjesën komerciale të aktivitetit, nuk do të duhej të ndaheshin me qeveritë e tjera.

Megjithëqë, sipas propozimit, Komisioni Evropian, nuk mund të bëjë veto në marrëveshje, ai mund ta kërkojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Drejtësi, për shkeljen e rregullave të konkurrencës në tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian.

Komisionari Otinger ka thënë se marrëveshjet që tashmë janë arritur do të vlejnë, pasi disa vende si Italia, kishin shqetësime për shkak se tashmë i kanë nënshkruar disa marrëveshje kundërthënëse me regjimet në Afrikën Veriore, gjatë viteve të fundit.

Jo, kontratat ekzistuese do të mbeten të vlefshme. Ne nuk dëshirojmë të krijojmë një lloj të retroaktivitetit me këtë propozim.
Jo, kontratat ekzistuese do të mbeten të vlefshme. Ne nuk dëshirojmë të krijojmë një lloj të retroaktivitetit me këtë propozim”, tha Otinger.

Propozimi, po ashtu, sugjeron se zyrtarët nga Brukseli, ndoshta do të merrnin pjesë si vëzhgues dhe këshilltarë gjatë negociatave për kontrata të energjisë, që nga shumë vende anëtare mund të shihet si hap me të cilin Komisioni Evropian ka shkuar shumë larg.

Burime në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se vendet e vogla anëtare të Bashkimit Evropian, do të mirëpresin më tepër transparencë në marrëveshjet e energjisë.

Por, duket e vështirë që vendet që synojnë kontrata fitimprurëse të naftës me qeverinë e re të Libisë, do të jetë në favor të asaj që vëzhguesit e BE-së të ulen në tryezë të bisedimeve gjatë negociatave për kontrata. (f. b.)