Riker: Kosova ka të drejtë të shtrijë autoritetin

Filip Riker në Prishtinë

Filip Riker u ka dhënë mbështetje autoriteteve qeveritare të Kosovës të vendosin sundimin e rendit dhe ligjit në veri, ndërkaq ka përsëritur se kufijtë e Kosovës janë të paprekshëm dhe nuk mund të ketë ndarje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i japin mbështetje Kosovës që të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin, përfshi edhe veriun, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker.

Këto komente, Riker i bëri pas një takimi që zhvilloi me kryeministrin Hashim Thaçi dhe disa nga ministrat në kabinetin qeveritar.

Ai i ka dhënë mbështetje zbatimit të Pakos së Ahtisarit dhe vendosjes së sundimit të rendit dhe ligjit në veri.

Ne duhet të fokusohemi në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri si dhe zbatimin e Planit të Ahtisarit”, tha Riker.

Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i qartë dhe ajo që duhet të bëjmë është vullneti për vendosjen e sundimit të ligjit.
Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i qartë dhe ajo që duhet të bëjmë është vendosja e sundimit të ligjit”, theksoi Riker, duke mbështetur punën e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj në shërbim të gjithë qytetarëve.

Si një vend i pavarur e sovran, Kosova natyrisht që ka të drejtë të shtrij autoritetin e vet në gjithë territorin”, tha Riker, duke u përgjigjur në një pyetje në lidhje me aksionin e qeverisë në veri të vendit.

Ai edhe njëherë u përçoi mesazhet e politikës amerikane të gjitha vendeve të rajonit se nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkan, duke potencuar se çështja kryesore këtu është vendosja e rendit dhe ligjit.

Zyrtari amerikan ka bërë thirrje për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi.

Ajo që tash duhet të shohim është kthimi tek dialogu. Nuk mund të flas në emër të Bashkimit Evropian, por kemi një dialog i cili mund të zgjidh çështje të caktuara të cilat do t’u ndihmojnë njerëzve në jetën e përditshme. Kryeministri Thaçi dhe zëvendëskryeministrja Tahiri shprehën gatishmërinë t’i kthehen dialogut”, tha Riker.

Gjatë kësaj vizite në Kosovë, Riker i shoqëruar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell ka takuar dhe përfaqësuesit e misioneve civile e ushtarake ndërkombëtare në Kosovë.

Po ashtu, në agjendën e tij përfshihet edhe një takim me autoritetet lokale të Graçanicës dhe ata të Kishës Ortodokse.

Kjo vizitë e zotit Riker në Kosovë, është e para në cilësinë e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit.

Para ardhjes në Prishtinë, zyrtari i lartë amerikan ka qëndruar në Maqedoni.