Skeptikë për strategjinë e lobimit

Ligjvënësit kosovarë

Opozita në Prishtinë e sheh me skepticizëm strategjinë për lobim të miratuar nga Qeveria, në funksion të shtimit të njohjeve. Këto subjekte thonë se njohjet po i pengon dialogu me Serbinë, i filluar nga Qeveria, pa mbështetjen e pjesës tjetër të spektrit politik. Por, me vlerësime të tilla nuk pajtohen në Qeverinë e Kosovës.


Partitë opozitare në Kosovë nuk presin ndonjë shtim të numrit të njohjeve si rezultat i strategjisë për lobim të miratuar nga ana e Qeverisë.

Përfaqësues të opozitës thonë se vetë miratimi i kësaj strategjie dëshmon se për tre vjet, Kosova nuk kishte asnjë plan strategjik në lidhje me lobimin.


Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, fillimisht rikujton premtimet e kryeministrit Thaçi për njohjen e Kosovës nga ana e 100 shteteve brenda vitit të shpalljes së pavarësisë.

Kurse, në lidhje me strategjinë e miratuar, ai thotë se Kosova do t’i shtonte njohjet sikur të forconte shtetësinë e vet dhe të angazhohej në zhvillimin e brendshëm.

Një element tjetër, që, sipas Konjufcës, ka ndikuar negativisht në njohje, është dialogu me Serbinë, kështu që ai parasheh se asnjë strategji nuk do të mund ta kthejë procesin në kahet e dëshiruara brenda natës.

Strategjia e njohjeve do të hasë në dështim, pasi që kemi të bëjmë me një pakujdesi në zgjidhjen e problemeve të brendshme dhe kjo i bën shtetet të dyshojnë në aspektin e qëndrueshmërisë politike të Kosovës si shtet. Po ashtu, edhe hyrja në negociata me Serbinë e ka stopuar procesin e njohjeve dhe ky ka qenë një hap i gabueshëm strategjik i Qeverisë së Kosovës”, thekson Konjufca.

Ndërkohë, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Burim Ramadani, thotë se vetë miratim i strategjisë tregon se për tri vjet Qeveria Thaçi, përfshirë edhe mandatin paraprak, dëshmoi se ka vepruar pa asnjë strategji lobimi.

Edhe zyrtari i AAK-së shprehet skeptik rreth rezultateve që do të sjellë kjo strategji, marrë parasysh zhvillimet në zbehjen e imazhit të Kosovës dhe dialogut që po zhvillohet me Serbinë.


Një kritikë tjetër që Ramadani i adreson Qeverisë është edhe injorimi që, sipas tij, i është bërë pjesës tjetër të spektrit politik në procesin e hartimit të këtij dokumenti.

Realisht, një strategji ka qenë e nevojshme dhe është dashur të miratohet që nga shpallja e pavarësisë. Ajo tash është tepër e vonuar dhe në bazë të zhvillimeve të ardhshme, si bisedimet me Serbinë dhe të prishjes së imazhit të Kosovës, dyshoj që kjo strategji do të ketë sukses. Ne, absolutisht, nuk kemi qenë të informuar, kurse pyetjen që do ta shtronim është së kur do të fillonte ky lobim i gjithanshëm, pas 10 vjetëve apo kur”, shprehet Ramadani.

Me pikëpamjet e opozitës nuk pajtohen zyrtarë nga Qeveria. Zëvendësministri i Jashtëm, Ibrahim Gashi, thotë se krahas strategjisë për lobim, Kosova po zhvillon një aktivitet edhe përmes zëvendëskryeministrit Behxhet Pacolli. Ai numëron, si aktivitetet, ashtu edhe subjektet, që do të angazhohen në lobim.

Megjithatë, Gashi pret që të ketë njohje të kohëpaskohshme, por jo ndonjë valë të re njohjesh.
Ibrahim Gashi

“Kjo strategji përcakton edhe bartësit e veprimeve duke filluar nga zëvendëskryeministri Pacolli, pastaj ministria si një servis që përkrah dhe koordinon veprimet. Por, tani kemi të bëjmë me një komunitet shtetesh që më pak, domethënë drejtpërdrejt kanë interesa për ta njohur Kosovën. Kjo nënkupton që duhet lobuar më shumë me këto vende dhe numri i njohjeve që mund të vijnë nuk mund të jetë pretencioz dhe shumë i madh”, potencon Gashi.

Ndryshe, strategjia e miratuar përfshin një varg aktivitetesh diplomatike në shërbim të shtimit të numrit të njohjeve.

Për këtë qëllim është thënë se do të angazhohen institucionet dhe krerët e institucioneve, por edhe miqtë ndërkombëtarë të Republikës së Kosovës.

Kurse, vendet te të cilat do të lobohet, janë ndarë në pesë grupe, varësisht pozicioneve të tyre në raport me shtetin e Kosovës.

Derisa debati për lobim po vazhdon, Kosova është njohur nga Andora, e cila bëhet shteti i 76 që e ka njohur Republikën e Kosovës.